Gazeta Si – Dy persona, të shoqëruar si të dyshuar për vjedhje, janë arratisur nga dhomat e shoqërimit të Drejtorisë Vendore të Policisë së Elbasanit në datën 31 dhjetor të vitit të kaluar.
Policia njoftoi se pas arratisjes, u bë e mundur kapja e njërit prej tyre, shtetasit E. P., dhe vijon puna për kapjen e shtetasit tjetër, N. L.
Lidhur me këtë rast, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka pezulluar sot nga detyra 3 punonjës policie në Elbasan, konkretisht nënkomisarin Theofan.T, inspektore Andeta.L dhe inspektor Avni.B, pasi dyshohet se, në mospërmbushje të rregullt të detyrave të tyre funksionale, me veprime dhe mosveprime, nuk kanë marrë masa për parandalimin e arratisjes nga dhomat e sigurisë / shoqërimit të Komisariatit të Policisë Elbasan, të dy të arrestuarve.
Po ashtu, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit nisi hetimin disiplinor ndaj punonjësve të Policisë dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur hetimin penal.
Në datën 31, u ndalua një inspektor i Policisë dhe u proceduan penalisht dy të tjerë, lidhur me këtë ngjarje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.