Rend dhe Ligj

Arratisja e Altin Ndocit/ Të burgosurit me rrezik të lartë transferohen nga Durrësi, në Fier e Peqin

Pas arratisjes së Altin Ndocit ditën e djeshme, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka nisur transferimin e disa të dënuarve e të paraburgosurve që konsiderohen me rrezikshmëri të lartë nga institucioni i ekzekutimit të vendimeve penale në Durrës drejt burgut të Fierit dhe atij të Peqinit.

Sipas burimeve parapraker, bëhet fjalë për 15 të dënuar të transferuar në masa të forta sigurie të mbështetur nga forcat të Policisë së Shtetit.

Mes të transferuarve si persona me rrezikshmëri të lartë janë dhe Lulzim Berisha, Orges Molla, Juxhin Koka, të arrestuarit gjatë operacioneve “Ura” dhe “Revansh”, si dhe 3 shtetas të huaj, dy brazilianë dhe një venezuelian.

Burgu i Durrësit nuk klasifikohet si institucion me siguri të lartë. Ai kategorizohet si institucion paraburgimi, ndaj DPB ka vlerësuar, pas ngjarjes së rëndë, që personat me rrezikshmëri të lartë të mos qëndrojnë më në këtë strukturë.

Mësohet se masat kanë të bëjnë vetëm me transferimin e të dënuarve me rrezikshmëri të lartë dhe nuk përfshijnë zyrtarët e arrestuar, të cilët do të vijojnë të qëndrojnë në Durrës.

Vendimi për të transferuar më të rrezikshmit e të burgosurve nga burgu në qytetin bregdetar, erdhi pas arratisjes së Altin Ndocit nga Spitali i Durrësit.

Altin Ndoci mbahej pa pranga, gjatë shoqërimit në Spitalin e Durrësit. Ai kërkoi të shkojë në tualet dhe gjatë kësaj kohe, goditi dy efektivët që e shoqëronin e arriti të largohej.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë