Rend dhe Ligj

Arratisja e Altin Ndocit nga spitali, arrestohet ish-drejtori i burgut të Durrësit (pamjet)

Gazeta Si – Ish-drejtori Burgut të Durrësit, Indrit Cërloj, është arrestuar këtë të premte pas arratisjes spektakolare të Altin Ndocit nga spitali i Durrësit, teksa ndodhej për mjekim.

Policia e Durrësit njofton se Cërloj është lokalizuar dhe vënë në pranga, ndërsa akuzohet për shpërdorim të detyrës.

Po ashtu policia ka njoftuar se është caktuar arrest shtëpiak për shtetasen Ylfete Sema, mjekja e burgut të Durrësit.

Cërloj është shkarkuar dy ditë më parë nga posti që mbante me urdhër të ministrit të Drejtësisë, Besfort Lamallari, ndërsa është pezulluar nga detyra gjithë zinxhiri komandues i burgut.

Pas arratisjes së Ndocit, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve zbardhi të gjitha shkeljet që dyshohet të kenë kryer punonjësit e paraburgimit të Durrësit, me pasojë arratisjen e Altin Ndocit, teksa po vizitohej në spitalin e qytetit.

Në lidhje me këto shkelje, paraditen e së mërkurës u arrestuan 7 punonjës të Policisë së Burgjeve, si edhe kryeinfermieri.

Në një reagim zyrtar, DPB tha se nga verifikimet paraprake ka rezultuar se për shoqërimin e planifikuar të të paraburgosurit Ndoci në spitalin e qytetit, IEVP Durrës nuk ka informuar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe Komisariatin e Policisë Durrës.

Po ashtu, zyrtarët e burgut ku Altin Ndoci mbahej i izoluar, nuk kanë raportuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve as planifikimin dhe as realizimin e vizitës mjekësore, në kundërshtim me aktet nënligjore në fuqi.

Shkelje janë vërejtur edhe në respektimin e procedurave standarde për shoqërimin e të paraburgosurve dhe të dënuarve. Verifikimi paraprak i shkeljeve çoi Prokurorinë e Durrësit në lëshimin e urdhër-ndalimeve për 8 persona: 7 efektivë të Policisë së Burgjeve dhe kryeinfermierin e IEVP Durrës.

Tetë punonjësit e ndaluar më parë për arratisjen e ndodhur në Burgun e Durrësit:

-Komisar Dezdemon Pazaj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;

-Komisar Violeta Uka – Punonjëse e Policisë së Burgjeve;

-Kryeinspektor Dorjan Saraçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;

-Inspektor Sali Ferrollari – Punonjës i Policisë së Burgjeve;

-Inspektor Fatjon Braçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;

-Inspektor Preng Marvataj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;

-Kryeinspektor Aranit Çela – Punonjës i Policisë së Burgjeve;

-Kryeinfermier Aulon Quku – Punonjës i IEVP Durrës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë