Dosje

Arratisja e Altin Ndocit, në tre muajt e fundit u ‘vizitua’ 5 herë në spital (me 3 drejtorë të ndryshëm!)

Gazeta Si – Që prej vitit 2020, kur Altin Ndoci u vendos në burgun e Durrësit pas arrestimit, e deri në 2024-ën, ishte shoqëruar 4 herë në spital, për probleme të ndryshme shëndetësore.

Ndërsa nga tetori i vitit 2025, deri në janar 2026, i burgosuri me rrezikshmëri të lartë shoqërore, u shoqërua 5 herë në Spitalin e Durrësit, nga ku u arratis javën e kaluar.

Sipas dosjes hetimore të Prokurorisë së Durrësit, thuhet se 3 nga këto vizita mjekësore, Ndoci i ka bërë kur drejtimi i Institucionit të paraburgimit të Durrësit i ishte besuar Indrit Cërlojit, i arrestuar me dyshimin për shpërdorim detyre.

Ndërsa në dy rastet e tjera, drejtor i komanduar burgut, ka qenë Ervis Dedej (8.10.2025) dhe Edmond Llabani (24.10.2025).

Sipas dosjes hetimore, vizitat e fundit, Ndoci i kreu në datë 26.11.2025 me drejtor të burgut Idrit Cërloj; në datë 18.12.2025, Drejtor Institucioni po Indrit Cerloj dhe në datë 13.01.2026, me Indrit Cërloj.

Po ashtu, thuhet se nga këqyrja e kamerave të sigurisë, është konstatuar ndërveprim i dyshimtë midis kryeinfermierit Aulon Çuku dhe drejtorit Indrit Cërloj, të cilët dyshohet se kanë abuzuar me detyrën.

“Nga informacionet e përftuara Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve, rezulton se shpeshtësia e shoqërimit për në spital të të burgosurve që kanë rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe gjendje të mirë ekonomike dyshohet se kryhet për t’u mundësuar favore të ndryshme (kryesisht takime speciale) këtyre të burgosurve, kundrejt dhënies së ryshfetit drejtuesve të institucioneve dhe personelit përkatës”, – theksohet në dosje.

Prokuroria dyshon se vizitat janë realizuar pa pasur nevojë për konsulta mjekësore jashtë burgut.

“Duke marrë në konsideratë rritjen e frekuencës së daljeve në një periudhë relativisht të shkurtër dhe duke e krahasuar me historikun e mëparshëm të daljeve të tij për spital, ekziston dyshimi i arsyeshëm se këto planifikime për vizita mjekësore për në spital që përkojnë me periudhën tetor 2025-janar 2026 janë fiktive”, është shprehur Prokuroria në dosjen e saj hetimore.

Një tjetër element i dyshimtë, është dhe fakti se daljet e Ndocit për në spital, nuk janë regjistruar sipas procedurave.

“Nga verifikimet e deritanishme ka rezultuar se për daljet nga IEVP të të burgosurit Altin Ndoci që përkojnë me periudhën tetor 2025-janar 2026, në asnjë rast nuk është pasqyruar në komunikatën e aktivitetit ditor të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe në asnjë rast nuk është informuar Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve”.

Rasti i Ndocit nuk duket të jetë një episod i izoluar, në burgun e Durrësit ku nuk kanë munguar favoret ndaj të paraburgosurve, kundrejt pagesave në para.

“Nga informacionet e përftuara në kohë nga SHKBB (Shërbimi I Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve) rezulton se shpeshherë shoqërimi për spital i të burgosurve që kanë rrezikshmëri të lartë shoqërore si dhe me gjendje të mirë ekonomike, dyshohet se kryhet për t’iu mundësuar favore të ndryshme (kryesisht takime speciale) këtyre të burgosurve, kundrejt dhënies së ryshfetit Drejtuesve të institucioneve dhe personelit përkatës”, shkruhet në dosjen e Prokurorisë.

Dosja e prokurorisë tregon se kryeinfermieri Çuku, dyshohet se përgatiti lejen dhe e dërgoi te shefi i komanduar i policisë, Dezdemont Pazaj, si dhe te drejtori i burgut, Indrit Cërloj, i cili e miratoi menjëherë.

Miratimi u bë pa kontrolluar nëse mjekja kishte kryer vizitën dhe pa respektuar rregullat e shoqërimit.

Komisioni i vlerësimit në burg, me firmën e drejtorit tashmë të shkarkuar dhe arrestuar, e kishte vlerësuar 38-vjeçarin si jo të rrezikshëm për arratisje më 4 dhjetor 2025.

Altin Ndoci, i dyshuar për vrasje dhe anëtar i grupit kriminal të Çopjave në Elbasan, vrapoi jashtë rrethimit të spitalit pa asnjë pengesë, duke siguruar largimin e tij me një automjet tip Audi ngjyrë e zezë, që e priste jashtë. Ai vijon të jetë në arrati.

Një ditë pas arratisjes, shërbimi i kontrollit të brendshëm të burgjeve arrestoi tetë zyrtarë të Burgut të Durrësit.

Mes të arrestuarve janë zv.shefi i policisë, pesë efektivët që shoqëronin Ndocin, specialistja e informacionit dhe kryeinfermierin, të gjithë të dyshuar për shpërdorim detyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë