Nga Gazeta Si – Anëtari i bandës së Niklës, Edison Pula dhe dy shqiptarë të tjerë janë arratisur nga burgu i Trevisos, rreth orës 5 të mëngjesit, pasi kanë prerë hekurat e dritares në qeli dhe janë ulur poshtë me çarçafë.
Teksa dy të tjerët janë ndaluar nga policia italiane në tentativën për t’u larguar, Pula mbetet ende i lirë.
Pasi kapërceu muret, Edison Pulën e priste një makinë jo shumë larg burgut. Prej andej u arratis dhe aktualisht është i shpallur në kërkim nga policia italiane.
27-vjeçari mbahej me një urdhër-arresti europian për tentativë vrasje, grabitje dhe trafik droge ndërsa rezulton të jetë një emër i njohur për drejtësinë shqiptare.
Mediat e vendit fqinj raportojnë se Pula të gjitha veprat penale për të cilat mbahej në burg i ka kryer jashtë Italisë, por në zonën e Venetos, ai kishte kryer disa grabitje.
Përveç akuzave të grabitjes, Edison Pula akuzohet edhe për vrasje të mbetura në tentativë, posedim i lëndëve plasëse dhe trafik droge, vepra që i ka kryer jo në Itali.
Edison Pula është personazh i njohur edhe në Shqipëri. Në vitin 2016, ai ishte arratisur edhe nga Komisariati i Krujës, duke kapërcyer murin rrethues.
Ai ishte arrestuar si pjesë e bandës së Niklës me aktivitet kriminal në fushën e krimeve kundër personit, pronës dhe prodhimit e shitjes së trafikimit të lëndëve narkotike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.