Lojtari turk i Boston Selltiks ka marrë nënshtetësinë amerikane dhe i ka shtuar emrit të tij fjalën ‘freedom’ (liria). Armik i madh i Erdoganit dhe kritik ndaj Kinës, gjithmonë në luftë për të drejtat e popujve, duke paguar për fjalët e tij: “Liria nuk është gratis”
Freedom në shpinën e tij është një ulërimë lirie. Një britmë për të drejtat e njeriut, një deklaratë e një qëllimi tashmë të arritur, pasi ka kaluar vite solidariteti dhe vëmendjeje për popujt e shtypur, kundër tiranëve. Si në “flluskën” e Orlandos në 2020-ën, lojtari turk i Bostonit, Enes Kanter, ka veshur një fanellë me ato shtatë shkronja të rënda.

Një vit e gjysmë më parë ai kishte vullnetin për të dhënë mesazhe të rëndësishme në një moment të vështirë për njerëzimin, ndërsa tani basketbollisti ka marrë pasaportën amerikane, pas disa vitesh me një dokument provizor, duke e modifikuar emrin e tij në Enes Kanter Freedom.
Të jesh turk dhe të mos kesh opinione në favor të presidentit tënd, nuk është aspak e lehtë. Kanter megjithatë nuk është shqetësuar kurrë për këtë gjë dhe e ka kritikuar shpesh Rexhep Taip Erdoganin në vitet e fundit. Efektet e këtyre kritikave kanë qenë të shumta dhe të rënda, si mospranimi i familjes së tij dhe Enes ka shprehur shqetësimin për përsekutime të mundshme të prindërve të tij.
Lojtari i Bostonit është vlerësuar nga partia e Erdoganit si mbështetës i Fethullah Gylenit, përgjegjës, – sipas kësaj partie, – për tentativën e grushtit të shtetit të 5 viteve më parë. Nga ai moment sportisti ka qenë nën survejim dhe këtë e ka thënë publikisht. Në prononcime të tij dhe në rrjetet sociale, basketbollisti ka folur hapur se çfarë mendon për liderin e vendit të origjinës.

Për qëndrimet e tij, në 2017-ën humbi nënshtetësinë turke dhe për të Turqia kërkoi ekstradimin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por kjo kërkesë nuk u pranua. Një rikthim i mundshëm në Turqi do të thoshte një proces gjyqësor, pasi Kanter konsiderohet një terrorist. Për të ka një urdhër arresti ndërkombëtar. Vite më parë, një tjetër kritikë e Kanter ishte ajo ndaj sulmit ushtarak në Siri nga Turqia, në dëm të kurdëve.
Sportisti kurajoz e quajti Erdoganin si “Hitlerin e ri”, një krahasim që e ka përsëritur shpesh më pas. Për këtë arsye, jashtë kufijve të SHBA-ve, Enes është në rrezik. Në të kaluarën ka folur edhe për kërcënime me vdekje, për burgosjen e të atit dhe një tentativë për rrëmbim në Indonezi. “Liria nuk është gratis”, – tha ai në atë kohë.
Tani nuk është më Enes Kanter, por Enes Kanter Freedom. Mbiemri asktual do të thotë liri, kurse ai që kishte deri pak ditë më parë është bërë emri i tij i dytë. Lojtari i Selltiks e ka festuar nënshtetësinë amerikane me një postim në rrjetet sociale, ku shkruan:
“Krenar që jam amerikan. Kombi më i madh në botë. Toka e lirisë dhe shtëpia e kurajozëve”. Ai është i tillë sigurisht, duke ditur që ka kritikuar publikisht edhe qeverinë kineze për mohimin e të drejtave më themelore ndaj tibetianëve. Ajo “Free Tibet” tetorin e kaluar kushtoi anulimin me afat të pacaktuar të ndeshjeve të Bostonit në televizionin kinez (si në Turqi).

Pastaj edhe barazia gjinore, shfrytëzimi në punë i minorenëve dhe uigurët, edhe ata në Kinë. Kanter është i lirë dhe nuk ka frikë, ai i bërtet botës se çfarë beson se është e gabuar në botë, kur pjesa tjetër e njerëzve heshtin ose bëjnë sikur nuk shohin asgjë. Tani Enes është i lirë me dokumente dhe me emër, edhe pse nuk është gratis.
Përgatiti: Fatjon Rupi
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



