Rend dhe Ligj

Armë dhe kokainë në banesë pas alarmit të 20-vjeçare te Astiri, 5 persona në kërkim. Policia: Vajza u mbajt peng

Gazeta Si – Pesë persona janë shpallur në kërkim nga policia në lidhje me ngjarjen në zonën e Astirit ku një 20-vjeçare e mbyllur në banesë alarmoi forcat speciale.

Sipas njoftimit të policisë, mësohet se janë shpallur në kërkim pesë persona, konkretisht: S.S., 29 vjeç, A. A., 36 vjeç dhe O.A., 31 vjeç, të tre banues në Tiranë; J.S., 26 vjeç, banues në Tepelenë; dhe A.J., 40 vjeç, banues në Vlorë. 

Policia thekson se e reja me iniciale S.Q., është mbajtur mbyllur në apartamentin e marrë me qira ditore. Ndër të tjera, në njoftim thuhet se gjithashtu, ishte marrë me qira ditore edhe apartamenti përballë në të cilin policia gjeti gjatë kontrollit, 2 armë zjarri, municion luftarak dhe sende të tjera personale që do t’i shërbejnë hetimit. 

“Nga veprimet e para hetimore të kryera për këtë rast dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë mbajtur të mbyllur shtetasen S. Q., në apartamentin ku ndodhej, i marrë me qira ditore”, – njofton policia e Tiranës.

Gjithnjë sipas burimeve, bëhet me dije se njëri prej tyre, Joni Sadikaj, është i dashuri i vajzës dhe një nga djemtë e shpallur në kërkim.

Në vitin 2017, Sadikaj, bashkë me 4 djem të tjerë është arrestuar në Kavajë për tentativën e transportimit të 1.3 tonë kanabis drejt Italisë.

Në atë kohë, ai është hetuar nga ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda. Ndërkohë një vit më parë ai është arrestuar për armëmbajtje pa leje.

Grupi dyshohet se e kanë sjellë kokainën me të cilën është festuar një natë para ngjarjes, si edhe gjurmët e tyre janë gjetur në armët e pistoletave me silenciatorë.

Joni Sadikaj

Po ashtu, është kryer akt ekspertizë gjatë mbrëmjes në trupin e 20 –vjeçares, por paraprakisht  thuhet se nuk ka shenja dhune.

E reja kishte lidhje me njërin nga djemtë, për të cilin babai i saj nuk ishte dakord dhe sipas kamerave ka shkuar në banesën e marrë me qira ku edhe qëndronin zakonisht.

Oficerët dyshojnë se për shkak të gjendjes së saj nën ndikimin e alkoolit dhe drogës ”miqtë” e saj duhet ta kenë mbyllur në banesë dhe nuk përjashtohet mundësia që ndaj tyre të ngrihet akuza edhe për heqje të paligjshme të lirisë.

Ata akuzohen për armët e zjarrit, kokainën dhe një jelek antiplumb që u gjetën në një prej banesave të marra me qira.

Bashkë me 3 vajza, mes tyre edhe 21-vjeçarja, kanë festuar mbrëmjen e të mërkurës dhe orët e para të mëngjesit të së enjtes në dy banesat e marra me qira ditore.

Vajza është shprehur se ka shkuar me dëshirën e saj në banesë, por sipas saj kur ka parë që kanë armë, është frikësuar.

Ndryshe nga sa ka pretenduar gjatë telefonatës në polici, ajo ka deklaruar se nuk e kanë dhunuar. Ndërkohë edhe nga akt ekspertiza e kryer rezulton se nuk ka shenja dhune.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë