Nga Gazeta “SI” – Një zbulim i jashtëzakonshëm nga shpellat e San Lázaro, pranë Segovias në Spanjë, hedh dritë të re mbi aftësitë simbolike të Neandertalëve, paraardhësve të njeriut modern.
Arkeologët kanë gjetur në një gur graniti, të njollosur me pigment okër të kuq, gjurmën më të vjetër të njohur deri më sot të një gishti njerëzor, një zbulim që sfidon idetë e mëparshme se neandertalët nuk kishin kapacitete për shprehje simbolike apo artistike.
Ky gur, me gjatësi 21 centimetra, u transportua nga lumi Eresma, rreth 5 kilometra larg, në vendin ku u gjet. Ai nuk mban shenja përdorimi praktik, që tregon se ka pasur një funksion simbolik, ndoshta ritual apo artistik.
Me anë të teknologjive të avancuara si skanimi 3D me lazer dhe mikroskopia elektronike, studiuesit zbuluan në sipërfaqen e gurit gjurmën e qartë të një gishti, e mbuluar me okër të kuq. Përveç kësaj, mbi gur janë të dukshme tri gropëza që i japin përbërjes pamjen e një fytyre njerëzore , dy gropëza simetrike dhe një më e madhe qendrore, me një pikë të vendosur me kujdes mes tyre.

Studimi, i kryer nga një ekip ndërkombëtar shkencëtarësh nga Universiteti Complutense i Madridit dhe institucione të tjera, tregon se probabiliteti që kjo të jetë rastësi është vetëm 0.31%. Kjo përforcon idenë se neandertalët nuk ishin krijesa të thjeshta, por kishin aftësi për shprehje simbolike, që mund të konsiderohen si fillimi i artit njerëzor.
Ky zbulim, botuar së fundmi në revistën shkencore Archaeological and Anthropological Sciences, shton dëshmi të reja mbi ndërgjegjen dhe kreativitetin e neandertalëve, duke shtyrë përpara kuptimin tonë për historinë e hershme të njerëzimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.