Libra

Arian Leka zbulon “Anën e errët të kopshtit socialist” – Befasi në shitjen e librit të ri

Foto Kortezi: Michel Setboun

Brenda një dite, kur libri ka vetëm pak syresh që ka dalë në treg , autorin e kanë njoftuar se në një librari të vetme janë shitur pesë kopje në pak orë. Blerësit – ashtu siç ka në shënjestër  edhe ky libër me ese – ishin, siç pritej, të huaj. Botuar më parë në Mbretërinë e Bashkuar,  “Secret Side of Albanian Socialist Garden” nga shkrimtari Arian Leka,  libri vjen në Shqipëri, po në gjuhën angleze.

Ka pak tituj nga  autorë shqiptarë,  artistikë por edhe studimorë rreth konteksteve historike, ekonomike, sociale apo edhe zhvillimeve politike të vendit tonë. Ndaj   për të zgjedhur një libër që t’i dhurohet një miku të huaj apo t’u sugjerohet  vizitorëve që nuk kanë vetëm interes për gjeografinë në kuptimin turistik, të duhet të sillesh rrotull për një copë here në seksionin e librave shqiptarë në gjuhë të huaj, duke ngurruar mes ofertës së kufizuar.

Porti i Durrësit, Shqipëri. Copyright: Michel Setboun

Në këtë vakum,  ky libër  synon së pari lexuesin e huaj që jeton në Shqipëri, por interes për analizën filozofike  të autorit mbi marrëdhënien mes ideologjisë, normave të shoqërisë dhe arteve të Shqipërisë socialiste –vendit pas perdes së hekurt, kështjellës së vetme dhe të pathyeshme në bregun e Adriatikut –mund   të shfaqë kushdo. Një përkujtim i pasojave të një prej diktaturave më të egra në zemër të demokracive më të konsoliduara europiane, që vijnë të përshkruara në esetë ‘Deti si fjalor  xhepi i opinioneve empirike mbi europianët dhe  dylbitë e mia’  apo ‘Turizmi politik i grupeve të të rinjve markisistë’, ‘Perëndimi artificial dhe Europa e Rreme’.

Durrë, Shqipëri,  1981. Plazhi i pionierëve në plazhin e  Durrësit., për fëmijë nga 8 deri 14 vjeç.  Copyright: Michel Setboun.

Për shkrimtarin, të pagëzuar edhe si “Poeti i Detit” , ky i fundit nuk mungon edhe në këtë libër. Deti   shpaloset – jo  më  vetëm në kuptimin poetik- në ese si ‘Njerëzit mbathin varka dhe anije’,  ‘Daullet e shpëtimit dhe minat e detit’ apo ‘Bota nënujore si një lloj bunkeri anti-bërthamor’, ‘Fëmijët e jashtëligjshëm të letërsisë’ dhe ‘Regjistri  i të mbyturve tanë – I mbyturi dhe labirinti’.

Autori Arian Leka

Socializmi i parë me syrin e arteve apo arti i parë përmes dogmës socialiste vijnë në ese lexuesi i gjen në libër me tituj si  ‘Flora dhe fauna poetike dhe politike në poemat e shqipe versione të  Ready-Made  të Lindjes dhe forma socialiste e fundit të lumtur’.

Nuk mungojnë edhe mendimet dhe këndvështrimi i autorit për zhvillimet e mëdha shoqërore, në pragun e ndërrimit të sistemeve, në ese si; ‘Kamioni i Lindjes në oborrin e ambasadës së Gjermanisë Perëndimore’  apo  ‘Emigrantët dhe refugjatët e parë në kulturën time”.

Fëmijë duke luajtur shah, Tiranë. Shqipëri. Copyright: Michel Setboun

Ndër lexuesit e parë  të librit, rrëfen autori, ishte Dasa Drndic, shkrimtarja kroate, e cila u nda nga jeta pak muaj më parë.  Kjo përmbledhje esesh u botua së pari  nga shtëpia botuese “Routledge” në Britaninë e Madhe dhe  ishte poetja Fiona Sampson që u përkujdes personalisht. Veç lexuesit ishullor, libri ka prekur edhe të tjerë lexues europian, duke u përkthyer në gjuhën gjermane dhe në atë serbe.

Libri i ri i autorit Arian Leka, botuar nga "POETEKA". 

Arian Leka, veprat e të cilit janë botuar në disa gjuhë të huaja, konsiderohet si një nga autorët më të mëdhenj bashkëkohorë. Përkrah modernitetin, por njëkohësisht end një mitologji të tërë rreth vendit të tij, transformimit të simboleve kryesorë detarë në një estetikë të re të gjallë dhe gjuhë urbane, duke paraqitur  të gjitha ngjyrat e spektrit multi-kulturor të atij qyteti. Kontributi i tij konsiderohet nga kritikët si letërsia avangarde e realizmit post-socialist. Veprat e tij  janë vlerësuar me  katër  çmime kombëtare nga Ministria e Kulturës. Shkrimtari është gjithashtu studiues në Akademinë Shqiptare të Studimeve Albanologjike, pedagog në Universitetin  e Arteve të Tiranës.

Dasma e parë tradicionale, në Rragam. Gurët në fushë janë  rrënojat e kishës së shkatërruar nga regjimi komunist në veri të Rragamit, Shqipëri.  Copyright: Michel Setboun.

Libri “Secret side of Albanian Socialist Garden”(Ana e Fshehtë e Kopshtit Socialist Shqiptar) përfaqëson një përpilim mbresëlënës të zërit të Arian Lekës, i cili paraqet çmendurinë dhe banalitetin e socializmit. Ndërsa disa udhëtime drejt Shqipërisë  do të ishin  të pamjaftueshme për të kuptuar ideologjinë  komuniste të Shqipërisë dhe mënyrën sesi i dha formë vendit dhe mentalitetit të popullit të saj, leximi i  eseve të  Arian Lekës,  i  cili përdor dylbitë e tij – dhuratë e të gjyshit prej Luftës së Dytë Botërore – ofron një tablo të realitetit therës.

Fëmijë kopshti, Durrës. Shqipëri.  Shqiptarët kanë normat më të larta të lindshmërisë në Europë. Copyright:Michel Setboun. 

Përshkrimit dhe analizave të shkrimtarit i janë bashkuar edhe rreth pesëdhjetë imazhe, që mbajnë autorësinë e fotografit francez, Michel Setboun.Shkrimtari e takoi fotografin pas ekspozitës së tij në Tiranë, në  COD –qendrën  për hapje dhe dialog –në javën e parë të korrikut, i cili u tregua i gatshëm të përdoreshin fotografitë që ai kishte shkrepur në Shqipëri nga viti 1981 deri më 1991,  imazhe emblematike që përbënin edhe ekspozitën e tij, titulluar “Fundi. Fillimi”  me nëntëdhjetë e nëntë foto dhe,  që sjellin një portret të Shqipërisë mes errësirës së izolimit dhe dritës jashtë bunkerit komunist.

Shqipëria nën regjimin komunist. Kampi i pionierëve në Durrës, për fëmijë  nga  8  në  14 vjeç. 

Leka është autor i gjashtëmbëdhjetë librave letrarë, ku ndër më të njohurit janë libri me poezi “Strabizëm”, tregimet “Shpina e burrit”, libri me poezi “Ndreqje gabimesh”, romanet “Gjarpri i shtëpisë” dhe “Dora e majtë” ,etj. Ka botuar  gjithashtu një sërë  artikujsh shkencorë dhe një monografi kushtuar letërsisë së fshehur të avangardës, modernizmit dhe realizimit socialist në Shqipëri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë