Gazeta Si – Argjentina hedh hapin e parë drejt kualifikimit. Mesi me shokë kanë mundur 2-0 Meksikën në një ndeshje shumë të rëndësishme, por nuk mund të festojnë ende, sepse dy skuadrat që kalojnë grupin do të përcaktohen në ndeshjet e treta. Gjithçka është e hapur për të katërta skuadrat.

Argjentina ia doli të ngrinte kokën pas humbjes së bujshme në debutim me Arabinë. Me shumë agresivitet dhe pak saktësi, pjesa e parë u mbyll pa gjuajtje në portë. Në të dytën Mesi gjeti golin me një gjuajtje rrafhs me tokën nga jashtë zonës, në fund Fernandez futi trepikëshin në ‘kasafortë’.
Trajneri Skaloni kishte bërë disa ndryshime në këtë ndeshje, në krahasim me atë me Arabinë. Pjesa e parë pati një lojë të ashpër nga të dyja skuadrat, me pak raste të rrezikshme që u krijuan vetëm nga goditjet standarde.
E majta e Leo Mesit nuk do të gabonte në minutën e 64-t të ndeshjes. Ylli argjentinas nxori nga repertori i tij një gol mjaft të bukur, goditje e kalibruar nga jashtë zonës dhe 1-0. Festa e golit tregoi qartë se çfarë presioni kishin argjentinasit në këtë ndeshje.
Tri minuta para fundit, Enco Fernandez realizoi golin e qetësisë për Argjentinën me një veprim të bukur teknik në zonë dhe një gjuajtjeje të saktë.
Tani Argjentinës i duhet të mundë Poloninë në ndeshjen e fundit për të kaluar më tej. Fitorja e sotme rikthen besimin në radhët e kombëtares amerikano-jugore, por ky ishte vetëm hapi i parë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



