Lajme

Ardian Olldashi, Berishës: Ti kërcënove krerët e degëve për Lulin pasi të qau në zyrë!

Gazeta Si – Deklarata e lëshuar nga një studio televizive e kryetarit të PD-së, Sali Berisha, se Sokol Olldashi bëri gabim gjatë përballjes me Lulzim Bashën për garën për kryetar partie, duke u mburrur me strukturat e PD-së, ka shkaktuar edhe reagimin e vëllait të ish-ministrit.

Ardian Olldashi, me një status në rrjetet sociale i cilëson deklaratat e Berishës si të pavërteta, duke e akuzuar se ka qenë vetë ish-kryeministri që ka kërcënuar, sipas tij, krerët e degëve të PD-së për të mos ndihmuar Sokol Olldashin.

Statusi i Ardian Olldashit. Gazeta Si, 19 tetor 2022

“Nuk është e vërtetë! Ti e di mirë që Koli fitonte me çdo formulë. Të mërkurën në darkë, pra në daten 26.06.2013, Basha të erdhi në zyrë gati duke qarë dhe u këshillua me ty për një tërheqje të mundshme të tijën. Për ç’arsye? Për arsyen se të dhënat që vinin e jepnin Kolin në avantazh.

Ti ke marrë personalisht në telefon pothuajse çdo kryetar nëpër rrethe. Natyrisht jo për t’i uruar natën e mirë, sepse në fakt ishte darkë, por për t’i kërcënuar me shprehje që më mirë mos t’i përsërisim. Ty dhe jo vetëm ty të vjen spontanisht pyetja: Nga i ditkam unë këto gjëra?

I di nga ata që atë darkë ishin prezent në zyrën tënde. Fatkeqësisht politika është i vetmi zanat, për të cilin nuk bëhet shkollë. Rezultatet duken”, – shkruan Ardian Olldashi në rrjetet sociale.

Berisha në një deklaratë nga Syri.tv u shpreh se “Olldashi ishte më epror se Luli, por Sokol Olldashi megjithëse si politikan i mençur dhe i vendosur në mënyrë habitëse për mua, bëri një gabim thelbësor, mua më mbështesin strukturat, ky (Luli) kapi mua më mbështetësin anëtarët. Mirëpo votat ishin anëtarët, strukturat kishin koston e humbjes dhe ishin pakicat”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë