Futboll

Arbitrat do shpjegojnë vendimet e VAR-it në kohë reale, me mikrofon si në regbi

Gazeta Si – Era e VAR-it është gati për një revolucion të ri të rëndësishëm. Ifab ka dhënë miratimin për arbitrat e Premier Ligës që të shpjegojnë direkt në fushë, pra në kohë reale, arsyet e vendimeve të tyre që kanë të bëjnë me episodet e VAR-it.

Do të jetë një situatë e ngjashme me atë të regbisë, ku nëpërmjet një mikrofoni do të bëhet shpjegimi për spektatorët e pranishëm në shkallët e stadiumit, si dhe për ata që e ndjekin ndeshjen nga televizori.

Arbitrat do t’u tregojnë lojtarëve të përfshirë arsyet e një vendimi të caktuar, pas konsultimit me VAR-in, apo pas një ‘field review’. Ky dialog do të dëgjohet nga të gjithë, përfshirë edhe tifozët.

Konfirmimi zyrtar duhet të vijë në Asamblenë e Përgjithshme, e programuar për në mars. Pastaj do të jetë radha e klubeve të Premier Ligës që të shprehen. Nëse jepet ‘ok’-i përfundimtar, do të fillojë të eksperimentohet kjo mënyrë gjykimi nga sezoni i ardhshëm.

Disa teste janë bërë në vende të ndryshme të botës vitin e kaluar, konkretisht në kampionatin meksikan dhe në Kupën e Ligës në Portugali. Shefi i arbitrave në Angli, Hauard Ueb, ka qenë një nga mbështetësit kryesorë të këtij revolucioni, që garanton më shumë transparencë dhe që do të kufizonte, të paktën në teori, dyshimet dhe polemikat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë