Futboll

Arbitrat dhe VAR-i, Sevilja denoncon Realin për presion një ditë para ndeshjes

Gazeta Si – Tjetër përplasje për arbitrat dhe VAR-in në Spanjë, por rasti aktual është ndryshe nga të tjerët, sepse ka një denoncim para ndeshjes. Sevilja, që ndeshet të dielën me Real Madridin, ka shpërndarë një komunikatë zyrtare, ku denoncon sjelljen mediatike të Realit, duke e quajtur ‘shpifëse’.

Me anë të kanaleve të veta zyrtare, Reali ka sulmuar në fakt publikisht jo vetëm Díaz de Mera, arbitrin që do të drejtojë ndeshjen, por atë që do të jetë në VAR, Gonzalez Fuertes.

Ky qëndrim ka sjellë edhe reagimin zyrtar të Seviljes, që e ka vënë theksin te fakti se Real Madrid po bën presion tek arbitri. “Këtë të shtunë Sevilja ka denoncuar te Komiteti i kompeticionit të RFEF fushatën shpifëse ndaj zotit Diaz de Mera, arbitër kryesor i ndeshjes Real Madrid-Sevilja, si dhe ndaj arbitrit Gonzalez Fuertes, që do të jetë në VAR.

Kjo fushatë është bërë nëpërmjet Real Madrid TV, televizioni zyrtar i Real Madrid. Klubi ynë kërkon dënimin më të rëndë për këtë lloj sjelljeje dhe për këto fushata të orkestruara për të minuar imazhin arbitral, duke i bërë një dëm të madh futbollit spanjoll dhe duke vënë në diskutim integritetin e kompeticionit”, – shkruhet në komunikatën e Seviljes.

Një përplasje që nis një ditë para ndeshjes dhe me siguri do të vazhdojë edhe gjatë e pas saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë