Teater

Arben Derhemi – Rrno edhe për me ndihmue

Kurrgjâ në mos kjosh i zoti me bâ, rrno vetëm për me tregue. Kështu i tha At’ Marin Serdani kur frati qe në të ri të vet. “Pra Zef, Un jam sot për sot Superjor, po të jap urdhën: ik, rrno! Vetëm për me tregue!”“E un rrnova”, rrëfente shumë vite më pas At’ Zef Pllumi në një intervistë, pasi e mori të jetuarit për të rrëfyer si një detyrim.

Zhgunin e fratit të mirë françeskan, që vuajti torturat e burgjeve të diktaturës e veshi të premten në mbrëmje aktori Arben Derhemi në monodramën “Rrno për me tregue”. Nuk është hera e parë që aktori vesh petkat religjioze për të sjellë rrëfimet rrëqethëse për publikun e teatrit, por kësaj here ishte për një kauzë. Ashtu si  bariu i krishterë, i cili mes tmerreve, dhunës, vdekjeve, çoroditjes së klikës së regjimit, ruajti natyrën humane dhe mirësinë, Derhemi iu bashkua nismës për të ndihmuar Omelda Metën, studenten 23 vjeçare, e diagnostikuar me Limfomën Hodgkins.

Kështu aktori iu përgjigj pozitivisht nismës, jo vetëm duke shpërndarë në rrjetet sociale posterin sensibilizues për rastin e së resë, por shprehu dëshirën e organizimit të një mbrëmjeje bamirësie.

“Bashkë mund të bëjmë mirë dhe të jemi më të mirë”, shkruante Derhemi në facebook, ndërsa i ftonte miqtë e tij të kontribuonin për Omeldën. Shfaqja erdhi për publikun në sallën “Moliere” të Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, ndërsa të gjitha paratë e mbledhura nga shitjet e biletave shkojnë si kontribut për kurimin e studentes.

Rrëfenjat e At’ Zef Pllumin të përmbledhura në trilogjinë e veprave të tij “Rrno vetëm për me tregue” u përshtatën nga dramaturgu e gazetari Bashkim Hoxha dhe me regji të Milto Kutalit. Që Vepra të vinte e plotë, e prekshme dhe autentike, aktori do të vizitonte edhe Kuvendin  Françeskan në Shkodër.

Derhemi, i njohur në zhanrin e monodramës me Johan Padan dhe Amerikat, e ka parë fratin françeskan i veshur me zhgunin e besimit dhe i zbathur nga pasuritë e botës, një rol ndryshe nga çdo tjetër që ka luajtur në teatër.

Një vepër ku ai dëshironte të gjente atë komunikim me  njerëzit, kafshët, bimët, që françeskanët e kanë në thelbin e besimit të tyre. Shfaqja nuk priret kah e zeza, kohët e tmerrshme të burgut, por edhe mes asaj dhimbjeje që kanë përjetuar martirët e besimit, të gjejnë të bukurën në atë skëterrë gjysmë shekullore, që e jetuan të gjithë shqiptarët.

 “Të rrëfesh këtë katarsis, që duhet të ndodhë nga shoqëria shqiptare”, shprehej aktori tre vjet më parë kur e solli premierë shfaqjen në sallën e improvizuar të Katedrales “Shën Pali” në kryeqytet, para se të bënte xhiron e qyteteve në kisha e xhami, pasi vepra e At’ Zef Pllumit i kapërcen ndasitë e feve dhe vetë ai kishte miq myslimanë e ortodoksë në burg.

“Nuk do të thotë të gjesh një karakter, por të rrëfesh një njeri, të rrëfesh një histori, të rrëfesh një periudhë dhe një tmerr që ka ndodhur në këtë vend”, do të thoshte aktori rreth mishërimit të prifit françeskan.

Shkrimtari Ismail Kadare do ta vlerësonte “Rrno vepër për me tregue” si një vepër për të cilën ka nevojë e gjithë shoqëria shqiptare. “Kanë nevojë për të ata që e kanë jetuar atë kohë, e po aq, në mos për më tepër, ata që s’e kanë jetuar. Kanë nevojë të shtypurit e të nëpërkëmburit, e po aq, e mos më tepër, ata që shtypën të tjerët. Kanë nevojë antikomunistët, e po aq, ndoshta më tepër, komunistët. Shkurt për të ka nevojë ndërgjegjja jonë”, shkruan Kadare.

“Unë nuk di a jemi të sigurt a është liri e vërtetë ajo atje jashtë?”, shkruante prifti nga burgu. “Por, megjithatë, unë do ta vazhdoj rrugën time, vetëm për me tregue, sepse dikujt mund t’i hyjnë në veshë fjalët e këtij plaku të mjerë edhe diku, dikur, në jetën e tyre diçka mund të ndryshojnë, sepse ata njerëz, edhe pse atje jashtë, asnjëherë nuk kanë qenë të lirë”.

Për Derhemin, secili prej nesh duhet të bëjë aq sa bëri At’ Zef Pllumi…të shkruajë për të pasur një shoqëri që nesër apo pasnesër të kemi mundësi, të jemi njerëz në radhë të parë.

 

Më Shumë