Art dhe Kulture

Arben Bajo, i gjallë mes miqve në përkujtim të ditëlindjes

Teknologjia e ka kaluar njeriun,  në këtë botën e sotme, thoshte dikur në një intervistë.Ajo teknologji që pak do t’ia dijë për shpirtin, botën e brendshme, ndjenjat dhe emocionet që ngjall tek miqtë kur Facebook u kujton se më 13 tetor , Arben Bajo ka ditëlindjen.Dje do të kishte bërë 53 vjeç, nëse Covid-19 nuk do ta kishte marrë aq beftë dhe para kohe, më 9 gusht.

Miq, kolegë, studentë u mblodhën në hollin e Universitetit të Arteve  në një përshpirtje për skulptorin e njohur, i cili siç kujtonte një tjetër skulptor  Thoma Thomai shqetësimi i  tij në këto kohë pandemie qe pengesa për të çelur ekspozitën e tij të re.

Dje, në hollin e Akademisë së Arteve, miqtë përkujtojnë skulptorin Arben Bajo

Përmes fotografish personale dhe të veprave të tij në skulpturë – adhuruesi i trupave njerëzorë dhe krijuesi i tyre në qindra e qindra punë –Bajo erdhi edhe njëherë në ato mjedise ku përgatiste gjeneratën e re të artistëve dhe mundohej t’u injektonte jo vetëm mjeshtëritë teknike, por edhe kureshtjen  për sa më shumë dije. Dëshpërohej me ata studentë që nuk e kishin atë dellin për të përpirë çdo informacion që pedagogu i tyre ndante me ta, për më të mëdhenjtë e arteve figurative.

Edhe intervistat me të u ngjanin leksioneve të shtruara, ku gjithnjë mësoje diç të re dhe ai kishte aftësinë të të sintetizonte në harkun e një ore bisedë të gjithë historinë e skulpturës, nga antikiteti e deri tek rrymat moderniste e post-moderniste.

Ai i mbetej besnik trupit njerëzor, ashtu si një zot i studios së tij sillte në jetë duke modeluar si hyji nga balta, portrete, nudo, njerëz të shquar që sot zënë vend në sheshe publike e deri tek krijesat mitologjike. Ndoshta sot, që krijuesi i tyre është larguar nga kjo botë, krijesat e tij ngjajnë edhe më melankolike.

“Artisti bën veten në pjesën më të madhe. Nëse e sheh atë të trishtë, mund të jem unë i trishtuar”, thoshte Bajo në një intervistë që patëm realizuar kohë më parë, ndërsa mundohej të të shpjegonte melankolinë pas nudove të brishta femërore që sundonin studion e tij.

Dukej  gjithnjë e njëjta modele. Me gjymtyrë të gjatë e të hollë –qëllimshëm artisti e ka kapërcyer pritshmërinë reale të shëmbëllimit –gjoks të vogël e të rrumbullakosur lehtë, ijë, vithe e bark që e bëjnë të duket sikur sapo e ka cikur fazën e të qenit grua, flokët e mbledhur chignon si të balerinave klasike që ia thekson edhe më shumë elegancën, ndërsa portreti i saj shpesh duket i trishtë, i zhytur në mendime e i përhumbur, si të trazohej së brendshmi

Spikatej për nudon femërore, por punët e tij shtriheshin më shumë se aq.Në studion e një skulptori nuk mund të mungojë nudoja, thoshte, duke shtuar se edhe gjatë regjimit diktatorial të fshehura në mënyrë fanatike, i gjeje skulpturat e zhveshura.

“Unë ndoshta mund ta kem tepruar”, pohonte duke qeshur. Bajo thotë se gjatë karrierës së tij 30 –vjeçare i ka trajtuar thuajse të gjithë zhanret; instalime, skenografi, skulptura publike, instalacione… “Nudoja nuk mund të mungojë në jetën e një artisti! Është si një piktor të mos ketë bërë natyra të qeta , do të ishte i pakryer cikli, ose do të kishte një hendek. Nuk them se gjithë jetën do merrem me nudo… Nuk është te lakuriqësia, por te vërtetësia e njeriut”, thoshte ai.

Skulptura e Arben Bajos e nisi  rrugëtimin në fundvitet ’80. E ndërtuar në atelietë e Akademisë së Arteve në Tiranë, skulptura e Bajos guxoi të ishte ndryshe në ato vite kur edhe studentë të tjerë shqiptarë po vinin në diskutim gjuhën plastike e stereotipale të metodës së Realizmit Socialist.

Qysh prej fillimeve ka qenë i magjepsur me trupin njerëzor. Gjatë periudhës 1988-1992 punoi me portrete, kryesisht të kolegëve dhe profesorëve të akademisë. Por  duke iu kthyer fill dashurisë së tij të parë: trupit njerëzor.

Portret i Bajos, ekspozuar dje nga miqtë dhe kolegët

Bajo çeli shtatë ekspozita solo, duke ia dedikuar punët e tij natyrës njerëzore, gruas, jetës së qetë,  elementët tradicionale dhe figurës që kalit, të cilit asnjë artist nuk mund t’i rezistonte përjetësimit  në skulpturë.

Skulptori Thoma Thomai shprehte pas ndarjes nga jeta të Bajos, që miqtë dhe kolegët të mund t’ia çonin në fund dëshirën për ta çelur atë ekspozitë të re, që nuk arriti dot në të gjallë të tij për shkak të pandemisë.

Sipas kritikut Ermir Hoxha, format skulptorike të Bajos e ftojnë shikuesin, për pak kohë, në një dialog psikologjik mes formës dhe subjektit, si për të përforcuar shprehjen se arti ndryshon shikimin tonë mbi veten aq sa edhe mbi botën. Për Bajon nuk kishte  objekt të shëmtuar. Ka artistë në kërkim të përjetshëm të bukurisë .

Firmën e Bajos e mbajnë një sërë skulpturash publike, siç është shtatorja e At Zef Pllumit në shëtitoren e Shëngjinit apo ajo e Lef Nosit në Elbasan, Vaçe Zelës në Lushnje e megjithatë.  Bajo e cilësonte  veten një skulptor kavaleti e jo monumental.

Skulptura  e Bajos e ka gjetur rrugën e vet, shprehej kritiku Ermir Hoxha.   Pasi  kishte përshkuar një rrugë në kërkim të gjurmës së vet stilistike, e kishte gjetur veten në një format më realist, përshkuar nga nota humaniste.

“Nëse vepra ime nuk ju prek, atëherë unë kam dështuar”, thoshte Bajo, duke cituar skulptoren Louise Bourgeois.  

Për Arben Bajon,  vepër arti ishte dhe mbetet,  ajo që ka jetë dhe me baltën në dorë për t’i dhënë formën fillestare, një skulptor nuk mund veçse ta shohë veten afër me zotin, që i jep jetë krijesës së tij, që në të gjithë mitologjitë a religjionet vjen në këtë botë, i zhveshur…ashtu si nudot e tij.

Nëse njeriu është shëmbëlltyra e zotit, atëherë skulpturat e Bajos do të shëmbëllejnë gjithnjë talentin e krijuesit të tyre, që u largua nga kjo botë në kulmin e krijimtarisë, por jo pa lënë gjurmën e tij dalluese, të skalitur në forma humane…/S.B


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë