Teknologji dhe Inovacion

Apple thyen traditën, iPhone 18 nuk do prezantohet në vjeshtë

Apple njihet për prezantimin e modeleve të reja të iPhone gjatë vjeshtës, kryesisht në fillim të shtatorit por kjo do të ndryshojë.

Sipas disa burimeve për mediat e huaja, Apple po shqyrton mundësinë e ndarjes së prezantimit të serisë iPhone 18 në dy faza të ndryshme, çka mund të çojë në shtyrjen e lansimit të iPhone 18 standard deri në vitin 2027. Analisti i njohur i industrisë, Ming-Chi Kuo, ka bërë të ditur se kompania planifikon t’i shpërndajë lansimet mes vjeshtës dhe pranverës.

Sipas kësaj strategjie, Apple do të prezantojë modelet iPhone 18 Pro dhe iPhone 18 Pro Max në vjeshtën e vitit 2026, duke respektuar traditën e deritanishme. Ndërkohë, modeli bazë i iPhone 18 nuk pritet të publikohet në të njëjtën kohë, por do të dalë në treg gjatë pranverës së vitit 2027.

Si pasojë, iPhone 17 do të mbetet modeli standard më i ri i Apple për rreth një vit e gjysmë. Edhe raportime të tjera kanë përforcuar këtë pretendim, duke theksuar se ndryshimi lidhet ngushtë me zgjerimin e vazhdueshëm të linjës së produkteve të Apple.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë