Lajme

Apple prezanton iPhone 12, “ringjallja” e iPhone 5, pa kufje, pa karikues…me 5G

Apple zbuloi të martën iPhone 12, iPhone 12 Mini, iPhone 12 Pro dhe iPhone 12 Pro Max, që për nga dezajni shumë përdorues në internet i vlerësuan si ringjallja e iPhone 5.

Por, ato që shkaktuan më shumë polemika ishin vendimet e kompanisë amerikane që në emër të objektivit për të reduktuar ndotjen dhe emëtimet e karbonit në mjedis i sjell modelet e reja pa kufje dhe pa karikuesin elektrik tradicional.

Apple tha se lëvizja është pjesë e strategjisë së saj për t’u shndërruar në “neutrale ndaj ndotjes së karbonit” brenda viti 2030.

Për këtë arsye, iPhone i ri mbërrin vetëm me një fishë USB-C, që mund të përdoret për të karikuar pajisjen duke e lidhur atë me një kompjuter.

Sa u takon kufjeve, Apple thotë se teknologjia e tyre nuk ka ndryshuar në krahasim me produktet e prodhuara në vitet e fundit dhe klientët mund të përdorin të njëjtat kufje edhe për iPhone 12.

Apple deklaroi se heqja e karikuesit dhe e kufjeve kursen përdorimin e mineraleve të rralla, zvogëlon paketimin dhe rrjedhimisht redukton ndotjen në mjedis.

“Të marra së bashku, ndryshimet e bëra prej nesh reduktojnë emëtimet e karbonit në atmosferë me 2 milionë metër/kub në vit. Është njësoj si të heqësh 460 mijë makina nga rrugët”, deklaroi Apple.

Por, shumë përdorues akuzojnë kompaninë se po fshihet pas kartës së reduktimit të ndotjes për të ulur koston e prodhimit të telefonit me teknologjine 5G, ndërkohë që vetë telefoni vjen pa ulje të çmimit në treg.

Përdoruesit që duan kufje dhe karikues te ri bashkë me telefonin mund t’i blejnë ato më vete, ku secila kushton nga 19 dollarë në dyqanet zyrtare të Apple.

Seria e iPhone 12 është e para model i Apple me teknologjinë 5G, megjithëse shumë ekspertë e kanë vlerësuar si të nxituar këtë hap, të paktën për tregun amerikan, ku mungon një infrastrukturë e tillë.

“Është njësoj si të kesh një Ferrari në rrugët me gropa të një fshati, ku nuk mund të ecësh dot me shpejtësi të lartë”, thanë ata.

Sa u takon detajeve të tjera, iPhone 12 mbërrin me një çip A14 Bionic, që Apple thotë se është procesori më i shpejtë i vendosur në një telefon të mençur dhe ekran 6.1 polësh te modelet iPhone 12 dhe iPhone 12 Pro, 6.7 polësh për iPhone 12 Pro Max, ndërsa varianti Mini me ekran 5.4 polësh, që të gjithë Super Retina.

Çmimi? iPhone 12 shitet duke filluar nga 700 deri në 1200 dollarë, në varësi të modelit dhe të kapacitetit ruajtës të hardiskut, ku më i vogli është 64 GB.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë