Nga Gazeta Si – Aplikacioni SMIP ku do jenë online notat, mungesat dhe çdo veprimtari e fëmijëve të shkollave në arsimin parauniversitar, është një “show” mediatik i bërë pa asnjë bazë, sipas ekspertit të arsimit Qemal Çejku.
Çejku thotë për Gazetasi.al se ky aplikacion shton më shumë boshllëqet që janë tani në arsimin parauniversitar.
“Në 3 vite pandemi dështoi mësimi online dhe pasojat po ndihen edhe tani. Një aplikacion i tillë nuk përmirëson cilësinë e shkollimit të fëmijëve, thjesht shton lodhjen e mësuesve”, thotë Çejku i cili shton se mësuesit nuk janë trajnuar dhe “shumë prej tyre nuk janë as përdorues të teknologjisë”.

Sipas Çejkut, ky aplikacion do të jetë një lodhje, mundim dhe stres për stafet arsimore dhe një angazhim i shtuar që do të përkthehet në ulje performance dhe motivimi.
Çejku thotë se aplikimi i një projekti të tillë, në mungesë të plotë të logjistikës dhe një industrie të pajisjeve të internetit do të ketë një ndikim negativ në arsim.
“Një projekt i tillë nuk është reformë në arsim”, përfundon Çejku.
Isa Halilaj, kryetari i sindikatës së Arsimit parauniversitar thotë për Gazetasi.al se edhe pse çdo risi është diçka pozitive për arsimin në vendin tonë, në rastin konkret nuk ndodh kështu.
Halilaj përmend faktin se për të funksionuar si duhet një aplikacion i tillë, duhet infrastruktura e duhur nëpër shkolla.
“Në rastin konkret nuk ekziston infrastruktura e nevojshme. Shumë shkolla nuk kanë as kompjuterë apo internet”, thotë Halilaj.
Një shqetësim tjetër që ngre Halilaj është edhe mungesa e trajnimit të mësuesve, pasi jo çdo mësues është i mësuar me teknologjinë, sidomos me aplikacione të tilla.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.