Trend

Aplikacionet e fitnesit po dëmtojnë shqiptarët

Këto ditë, duket sikur për gjithçka ka një aplikacion. Mund të porosisësh një makinë me anë të një aplikacioni apo edhe vaktin në çdo kohë. Së fundmi, në Shqipëri, rritje të konsiderueshme ka pasur edhe përdorimi i aplikacioneve për stërvitjen fizike, ose e asaj që quhet “palestër në shtëpi”. Por sipas disa trajnerëve personalë me të cilët bisedoi Gazeta Si.al, ky lloj aktiviteti më shumë po i dëmton njerëzit.

“Aplikacionet e fitnesit kanë filluar të përdoren shumë nga shqiptarët dhe këtu vlen të theksohet dëshira dhe rëndësia që i kushtojnë aktivitetit fizik, pa llogaritur të mirat dhe problematikat që kanë këto aplikacione”, thotë Maringlen Doda, trajner personal.

Trajneri shpjegon se këto aplikacione të motivojnë që të bësh stërvitje më mirë sesa të jesh vetëm në palestër, apo të jesh me persona që nuk e kanë mendjen për stërvitje.

Maringlen Doda, Trajner personal. Gazeta “Si”, 9 nëntor, 2022

“Me zhvillimin e teknologjisë, këto aplikacione janë të sakta në demonstrimin e teknikës së ushtrimit, në ndërtimin e një programi të përgjithshëm dhe “këtu fillojnë problematikat që një pjesë e përdoruesve nuk i kuptojnë”.

Për shembull, tregon Doda, personat që kanë një historik mjekësor jo të mirë mund të dëmtohen ose të kenë pasoja më të rënda shëndetësore, përmendim këtu persona që vuajnë nga tensioni, diabeti, anemia etj.

Këto aplikacione ndikojnë edhe në shëndetin mendor të njerëzve. Trajneri tregon për Gazetasi.al se janë shtuar shumë rastet e klientëve që ju drejtohen palestrave dhe trajnerëve personalë sepse aplikacionet e fitnesit i kanë demoralizuar.

“Për momentin, nga 8 klientë që kam personal, 3 prej tyre kanë ardhur në një gjendje jo të mirë mendore pikërisht për shkak të këtyre aplikacioneve. Janë njerëz që presin rezultate gjatë gjithë kohës së stërvitjes por në të njëjtën kohë nuk arrijnë ta kuptojnë se kur mund të rritet intensiteti i stërvitjes në mënyrë që të kenë progres si dhe nuk e dinë se është shumë e rëndësishme “nevoja” e një stërvitje specifike. Kjo i çon në demoralizim”.

Instruktore Jona Hysaj thotë për Gazetasi.al se një instruktor llogarit historinë mjekësore të klientit, punën që bën e cila lidhet me rutinën ditore të personit. Më pas vijnë mosha, pesha, gjatësia dhe mënyra se si duhet të ushqehen. Këto janë të gjitha detaje që duhet të ndiqen me përpikëri nga një profesionist, sado inteligjent të jetë aplikacioni.

Jona Hysaj, Instruktore. Gazeta “Si”, 9 nëntor, 2022

Aplikacionet e fitnesit mund t’ju bëjnë në mënyrë delikate të sabotoni veten.

Kjo i ndodhi dhe klientes së trajnerit personal, Ada B.

Ajo tregon se e donte shumë stërvitjen dhe më parë çdo ditë bënte stërvitje në shtëpi. Një ditë shkarkoj një aplikacion që monitoronte çdo lëvizje të saj.

“Filloi si diçka argëtuese derisa u fiksova shumë me aplikacionin dhe në fund kuptova se isha bërë e varur nga aplikacioni”, tregon ajo.

Si e kuptoi?

Humbi dëshirën për të bërë stërvitje, humbi emocionin e një ushtrimi dhe gjithë vëmendja e saj u drejtua tek matja e minutave, sasia e ushtrimeve dhe performanca.

“Nuk shijoja më asgjë. Thjesht mezi prisja të mbaroja që të llogarisja gjithçka tek aplikacioni dhe nëse nuk kisha ‘performancë’ të mirë, isha në humor të keq për gjithë ditën”.

Hysaj tregon se këto dy vitet e fundit, sidomos gjatë mbylljes, njerëzit filluan shumë të përdorin aplikacionet e fitnesit dhe kështu u shtuan dhe klientët që janë “zhgënjyer” nga aplikacionet.

“Sigurisht këto programe stërvitore të japin një informacion të përgjithshëm sesi ne duhet të ushqehemi apo çfarë ushqimesh duhet të konsumojmë, por nga ana tjetër, trupi i gjithsecilit dhe organizmi reagojnë në mënyra të ndryshme pasi janë unik dhe ne duhet ti përshtatim si ushqimin që ai kërkon por edhe stervitjen e duhur”, thotë Hysaj e cila shton se programet stërvitore të aplikacioneve janë ndërtuar në bazë të përgjithshme për të përfshirë një klientelë sa më të gjerë.

Fotografi ilustruese

Hysaj thotë se klientët personal i kanë fol për eksperiencat e tyre me aplikacionet e stërvitjes. Edhe pse kishin mbajtur dietën dhe kishin kryer ushtrimet në mënyrë periodike, rezultatet nuk kishin ardhur. Gjithashtu, sipas Hysaj, një faktor risku të cilin e ndërmarrin personat që kryejnë këto programe stërvitore online janë edhe dëmtimet fizike që mund t’i bëjnë trupit të tyre pasi nuk janë të vetëdijshëm për teknikën e saktë të ushtrimeve.

“Në mendjen e tyre ata janë duke e bërë ushtrimin saktë por duke mos pasur një trajner personal afër për t’i korrigjuar, përveç dëmtimeve muskulare momentale ata mund ti shkaktojnë vetes edhe dëmtime afatgjata skeletore”, thotë Hysaj.

Edhe në botë përdorimi i aplikacioneve të tilla është bërë tepër masiv, sidomos gjatë dy viteve të fundit me pandeminë. Por Greg Hager, profesor i shkencave në Universitetin Johns Hopkins thotë se në mungesë të provave ose bazës shkencore është e pamundur të thuhet nëse aplikacionet kanë efektin e synuar.

“Jam i sigurt se këto aplikacione po shkaktojnë probleme”, tha ai në takimin vjetor të Shoqatës Amerikane për Avancimin e Shkencës në Boston. Hager përmendi objektivat e një aplikacioni i cili u vendos përdoruesve një qëllim për të ndërmarrë 10,000 hapa në ditë.

Hager pretendoi se objektivi i 10,000 hapave daton në një studim japonez të viteve 1960, i cili tregoi se kishte përfitime shëndetësore për burrat që djegin të paktën 2000 kalori në javë përmes stërvitjes, afërsisht ekuivalente me 10,000 hapa çdo ditë.

“Por a është ky numri i duhur për cilindo prej jush në këtë dhomë?” pyeti Hager. “Kush e di. Është thjesht një numër që tani është i integruar në aplikacione”.

“Ne kemi një numër të jashtëzakonshëm aplikacionesh që shkarkohen në thelb nga njerëz të cilët mund ose nuk mund të kuptojnë se çfarë po u thonë në të vërtetë ose cili është konteksti. Imagjinoni që të gjithë të mendojnë se duhet të bëjnë 10,000 hapa, por shumica mund të mos jenë fizikisht të aftë për ta bërë këtë, sa dëm mund të bëjë?”, tha Hager.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë