Ish-drejtori i RTSH-së, Thoma Gëllçi do të vijojë të mbetet në burg së bashku me anëtarët e komisionit që u arrestuan per tenderin e RTSH AGRO.
Gjykata e Posaçme Apelit ka refuzuar kërkesën e avokatëve të Gëllçit për një masë më të butë sigurie, duke e lënë sërish në “arrest në burg”.
Ish-drejtori Gëllçi, kërkoi masë më të lehtë nga Apeli, me argumentin se “arresti me burg” është i papërshtatshëm dhe se ai nuk ka asnjë rrezik të prishë provat apo të largohet.
Ishte tenderi me vlerë mbi 86 milionë lekë për blerje të pajisjeve për kanalin “RTSH Agro” që çoi në pranga ish-drejtorin e RTSH-së së bashku me 3 ish-anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.
Fillimisht shkeljet u kallëzuan nga kompania humbëse dhe më pas u konstatuan edhe nga një audit i Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Ndër shkeljet e konstatuara, ishte nisja e tenderit 2 vjet përpara se AMA të jepte licencën për hapjen e një kanali të ri dhe 1 përpara se RTSH Agro të niste transmetimet. SPAK e kishte nisur proçedimin penal për këtë tender në datën 28 shkurt të 2020.
Dyshohet se Gëllçi ka kryer me dashje veprime në kundërshtim me ligjin, duke konsumuar elementët veprës penale të ‘’Shpërdorimit të detyrës”. Për 3 punonjësit e tjerë rëndon akuza e shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera e kryer në bashkëpunim.
Pas arrestimit Gëllçi, ka vijuar betejën në Gjykatën Administrative me RTSH, duke e quajtur të padrejtë shkarkimin nga detyra. Krahas dëmshpërblimit për largim, sipas tij të padrejtë nga detyra, ish-drejtori i RTSH-së kërkon dhe hapjen garës për drejtues.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.