Drejtësia

Apeli refuzon lirimin e 8 të arrestuarve të ‘Plumbit të Artë’

Gazeta Si - Gjykata e Apelit refuzoi kërkesën e 8 të arrestuarve në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë” për të zbutur masën e sigurisë dhe i la ata në burg pa afat.

Ata u prangosën si pjesë e grupeve që kryenin vrasje me pagesë pas dëshmisë së Nuredin Dumanit dhe Henrik Hoxhajt, dy bashkëpunëtorëve të drejtësisë.

Por gjatë seancës të dyshuarit kundërshtuan akuzat e bëra nga ish miqtë e tyre edhe në Apel, duke i konsideruar të pabesueshme.

Dëshmitë e dhëna për hetuesit nga dy të penduarit, kanë dokumentuar sipas SPAK deri më tani 18 ngjarje kriminale që datojnë që prej vitit 2011 në Shqipëri, vjedhje e atentate për të cilat janë paguar vlera monetare shumë të larta.

Ndërkohë, 10 të tjerë të vënë nën akuzë si pjesë e grupeve të vrasësve me pagesë ende nuk kanë dalë para gjykatës së Apelit.

Rreth një muaj më parë, SPAK zhvilloi një megaoperacion pas dëshmisë së Nuredin Dumanit duke çuar në pranga 18 persona, teksa 9 prej tyre ishin duke vuajtur dënime të tjera në burg.

Ndërkaq, 14 persona, mes tyre të organizuar edhe si drejtues të grupeve kriminale, kanë mundur t’u shpëtojnë prangave duke u arratisur.

Dy të penduarit e drejtësisë, Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxhaj, nga qelia zbërthyen vrasjet nga grupet e organizuara kriminale prej më shumë se një dekade, nga viti 2011 deri në 2022.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë