Drejtësia

Apeli refuzon heqjen e sekuestros preventive të pasurive të ish-ministrit Lefter Koka

Gjykata e Posaçme e Apelit ka vendosur të lërë në fuqi vendimin e sekuestrimit të pasurive të ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, i cili akuzohet për skandalin e inceneratorit të Elbasanit. Ka qenë ish-ministri që ka apeluar vendimin, por dhe në këtë shkallë e ka humbur betejën me drejtësinë.

Ish-ministrit i janë sekuestruar aksionet në kompaninë për prodhimin e pijeve alkoolike që nëse do të konvertohej në para, ka një vlerë prej 442.972 Lekë.

Lefter Koka ndodhet në burg, pasi u arrestua si i akuzuar për disa vepra penale lidhur me koncesionin e inceneratorëve.

Në 14 dhjetor, SPAK urdhëroi prangosjen ish-ministrit Koka për dosjen e  inceneratorit në Elbasan, ku u ngritën tre akuza: “shpërdorim detyre”, “pastrim të parave” dhe korrupsion”.

Hetimet disa mujore, zbuluan se Lefter Koka favorizoi pronarët dhe administratorët e kompanisë lidhur me koncesionin e inceneratorit të Elbasanit.

Sipas SPAK, ish-deputeti akuzohet se ka përfituar ryshfet në vlerën e 3.7 milionë eurove nëpërmjet kompanive fiktive të zotëruara nga familjarë dhe të njohur të tij.

Në kërkim për këtë dosje mbeten dy biznesmenët Stela Gugallja dhe Klodian Zoto që akuzohen se kanë lëshuar fatura fiktive me vlerë 3.7 milionë Euro për punime që nuk janë kryer asnjëherë në inceneratorin e Elbasanit.

Këto dy të fundit akuzohen për veprat penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë