Drejtësia

Apeli lë në burg ish-deputetin socialist Jurgis Çyrbja

Gazeta Si- Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi masën e sigurimit “arrest në burg” për ish-deputetin Jurgis Çyrbja, i akuzuar për “korrupsion në zgjedhje”, “tregim të sekretit shtetëror” dhe “përkrahje të autorit të krimit”.E njëjta masë u la edhe për Ahmet Mashën, i cili u arrestua bashkë me Çyrbjen.

Ish-deputeti i PSë në qarkun e Durrësit u arrestua me urdhër të SPAK, e cila njoftoi se gjatë ushtrimit të detyrës së tij si deputet, i ka ofruar favorizime të shumëkërkuarit të drejtësisë Altin Hajri. Ky i fundit në këmbim i siguronte vota për t’u zgjedhur deputet në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.

Një tjetër akuzë ndaj tij është edhe nxjerrja e sekretit hetimor. Për këtë, ai ka bashkëpunuar me Ahmet Mashën. Ata kanë dekonspiruar të paktën 7 operacione të policisë për arrestimin e disa të kërkuarve.

Tre ditë më parë (15 nëntor) , Çyrbja u mor në pyetje sërish nga SPAK ku mohoi akuzat. “Nuk kam patur kurrë aplikacion “Sky ECC” dhe nuk jam unë ai që komunikoj me ata persona. Unë nuk kam përkrahur asnjë person në kërkim, as nuk kam strehuar ndonjë të tillë”, ka deklaruar ish-deputeti.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë