Drejtësia

Apeli i Posaçëm lë në fuqi vendimin për sekuestrimin e HEC-it të Erzen Breçanit

Gazeta Si- Gjykata e Apelit të Posaçëm la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për të lënë nën sekuestro shoqërinë “HEC Drita”.

SPAK dyshon që ish-zyrtari i policisë Erzen Breçani i investoi paratë e paligjshme që dyshohet se i kishte fituar i biri, në ndërtimin e HEC-eve.

Në dosjen e Prokurorisë së Posaçme, thuhet se Breçani kishte dijeni të plotë mbi aktivitetin e paligjshëm të të birit Eralbi Breçani. Si e dhënë e policisë përmendet aktiviteti tregtar i “HEC DRITA ENERGY” që sipas SPAK ka si administrator të riun, që vijon të jetë në kërkim.

Këto investime janë përftime të paligjshme nën mbulimin që janë financime nga kredia, duke bërë të mundur shmangien nga raportimi ndaj institucioneve thuhet më tej.

Për SPAK, Breçani u ka dhënë informacione Bujar Ajetit dhe Nuredin Dumanin që të shmangnin komunikimet dhe çdo lëvizje që mund të sillte arrestimin e tyre.

Në 4 janar, Gjykata e Posaçme e Apelit la të pandryshuar vendimin që mbylli në qeli ish-drejtorin e Policisë së Tiranës, Erzen Breçani, ish-efektivin e policisë Dedan Gjonin dhe dy të tjerë.

Ata u arrestuan disa javë më parë pas përmbylljes së hetimeve paraprake për dosjen e ashtuquajtur Metamorfoza 2.

SPAK thotë se ka dyshime që Erzen Breçanin është përfshirë në pastrim parash, si dhe ka përkrahur autorë krimesh.

Teksa ish-polici Dedan Gjoni dyshihet se ka siguruar kushte për vrasjen e dy vëllezërve dhe se është përfshirë në trafik narkotikësh.

Bazë e hetimeve, dosja e SPAK ka komunikimet e anëtarëve të grupit kriminal në aplikacionin SKY, ku u zbardhën gjithashtu edhe 5 rastë të trafikut ndërkombëtar të kokainës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë