Drejtësia

Apeli i GJKKO lë në fuqi dënimin për Laert Haxhiun: Burgim i përjetshëm për masakrën e Lushnjës

Gazeta Si – Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi dënimin e Shkallës së Parë ndaj Laert Haxhiut, burgim të përjetshëm, të shpallur fajtor për masakrën e Lushnjës në vitin 2017, ku mbetën të vrarë dy persona dhe u plagosën dy të tjerë.

Të pranishëm në sallë ishin vetëm prokurori i çështjes Altin Dumani (kreu i SPAK) dhe avokati mbrojtës Detar Hysi, ndërsa i pandehuri Laert Haxhiu nuk mori pjesë.

Pasi u dëgjuan pretendimet e palëve, Apeli i GJKKO-së vendosi të lërë në fuqi burgimin përjetë për Laert Haxhiun, i cili u dënua me po me burg përjetë në mungesë nga Gjykata e Posaçme më 24 prill të këtij viti

Pas seancës gjyqësore avokati i Haxhiut, Detar Hysi e quajti vendimin jo të drejtë dhe të njëanshëm. Sipas avokatit mbrojtës, gjykata ka skanuar kërkesën e SPAK dhe me këtë vendim të ndikuar nga faktorë të jashtëm, ka hapur një sagë vrasjesh në qytetin e Lushnjës.

Ndërsa kreu i SPAK, Altin Dumani është shprehur se vendimi i Shkallës së Parë është i drejtë dhe se Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha u vranë pa faj, pasi shënjestra ishte Xhuljo Shkurti. Dumani theksoi se mes Laert Haxhiut dhe Xhuljo Shkurtit ka patur një konflikt që ka zgjatur prej vitesh.

“Vendimi i shkallës së parë është vendim i drejtë, ndaj duhet lërë ne fuqi. Janë trajtuar si provat e prokurorisë ashtu edhe provat e kërkuara nga ana e mbrojtjes. Sa i takon zbatimit të ligjit, ne gjykojmë se është vendim i drejtë. Sa i takon pretendimit të te pandehurit dhe mbrojtjes së tij për riçelje të shqyrtimit gjyqësor, ne vlerësojmë se kjo gjykatë me te drejte rrëzoi kërkesën. Prokuroria i është referuar pamjeve filmike në pikën e karburantit Gulf, jo pamjeve të sjella nga babai i Zamir Latifit. Nuk ka vend për vërtetësinë e provës. Edhe për pamjet filmike janë pyetur dëshmitarët e thirrur nga mbrojtja dhe nga akuza. Vrasja e Zamir Latifit dhe e Jurgen Hoxhës, nuk kishte asnjë motiv, por u bë për shkak se shënjestër ishte Xhuljo Shkurti, për shkak të konfliktit që Laert Haxhiu kishte me këtë të fundit. I pandehuri në mënyrë te përsëritur në shkallë te parë dhe këtu ne Apel nga mbrojtësi dëgjuam që nuk jemi përpara një grupi kriminal. Në sqarojmë se u provua ekzistenca e grupit të strukturuar kriminal. Mes Laert Hazhiut dhe Xhuljo Shkurtit ka patur konflikt qe ka zgjatur ndër vite”, – replikoi Altin Dumani.

Në të ashtuquajturën masakra e Lushnjës, Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi u vranë në ngjarjen e rëndë të vitit 2017, ku krahas dy viktimave mbetën të plagosur edhe dy persona të tjerë. Shënjestër e atentatit ishte nipi i Aldo Bares, Xhulio Shkurti i cili i shpëtoi breshërisë së plumbave.

Ata u qëlluan me automatik me automatik në një lokal në qendër të Lushnjës, ndërsa pronari i lokalit dhe një kalimtar mbetën të plagosur aksidentalisht.

Dënimi ndaj Haxhiut tij u dha për kryerjen e një sërë veprash penale, si “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prishja e qetësisë publike”. Laert Haxhiu u ekstradua nga Greqia në korrik të këtij viti, pasi u arrestua nga policia e Janinës.

Për të njëjtën ngjarje më herët janë dënuar edhe dy bashkëpunëtorët e Laert Haxhiut, Anterio Kaloshi dhe Orges Bilbili.

Në një tjetër dosje, SPAK mbylli hetimet disa ditë më parë për grupin e Laert Haxhiut dhe dërgoi çështjen në gjyq në GJKKO për 9 persona të pandehur, të akuzuar për vrasje, vendosje eksplozivi dhe vjedhje.

Grupi i tij, akuzohet për një seri ngjarjesh kriminale, të cilat u zbardhën pas rrëfimit të bashkëpunëtorit të drejtësisë, Artan Tafani, i dyshuar si vrasës me pagesë nën urdhrat e Laert Haxhiut.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë