Ekonomi

Anulohet tenderi për Portin e ri në Porto Romano! Karakaçi: Do ndërtohet një skenar tjetër

Nga Gazeta ‘Si’- Procedura e tenderit për ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano është anuluar, pasi kompania e vetme e mbetur në garë nuk paraqiti ofertë financiare.

Lajmin e konfirmoi ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës Enea Karakaçi pas mbledhjes së qeverisë.

Ai njoftoi se tërheqja e ofertuesit të vetëm, ka ndodhur me arsye krejtësisht ekonomike, për shkak të rritjes së kostove totale të ndërtimit dhe efekteve të krizës.

“Kontraktori ka bërë një tërheqje, gjë të cilën Komisioni do vijojë me procedurën. Dua të rikujtoj faktin se edhe kryeministri u shpreh mbi projektin, e tha që ka aktorë që përpiqen ta frenojnë dhe ta sabotojnë”, u shpreh Karakaçi, duke shtuar se do ndërtohet një skenar tjetër.

I pyetur për influencat ruse, ministri deklaroi se ky është një aludim, ndërsa theksoi faktin se projekti është konsultuar me kompaninë më të madhe në botë për çështjet portuale.

Ndërsa i pyetur për shqetësimin e Dhomës Amerikane të Tregtisë, që ka kërkuar edhe anulimin e këtij projekti, Karakaçi u shpreh se projekti ka dy vite që është ideuar dhe ka patur fazat e veta proceduriale.

“Fakti është që ky projekt është i standardeve ndërkombëtare dhe i konsultuar nga kompania më e madhe e porteve në botë”, tha ai.

Bëhet fjalë për kompaninë Archirodon, e cila nuk dorëzoi ofertën financiare brenda afatit të përcaktuar, më 9 mars, duke bërë që procesi i prokurimit të ndërpritet.

Tenderi kishte një vlerë të parashikuar prej rreth 400 milionë eurosh dhe synonte ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano, një projekt i rëndësishëm për infrastrukturën portuale dhe zhvillimin ekonomik të vendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë