Biznes

Anulimi i TEC-it, edhe Kosova paditet në gjykatën që dënoi Shqipërinë me 110 mln euro

Kosova është paditur në Qendrën për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve (ICSID – International Center For Settlement of Investment Disputes), me seli në Uashington dhe që është pjesë e Bankës Botërore, e njëjta qendër që dënoi Shqipërinë me 110 mln euro gjobë në përplasjen me investitorin italian, Francesco Beçhetti.

Padia ndaj Kosovës është dorëzuar nga kompania britanike, Contour Global në lidhje me zvarritjet që çuan më pas në tërheqjen e saj nga realizimi i investimit prej 1.3 mld dollarësh për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”.

Sipas “Global Arbitration Revieë” kompania britanike kërkon një dëmshpërblim prej 20 milionë eurosh nga ana e shtetit të Kosovës për dëmin e shkaktuar nga mosrealizimi i këtij projekti.

Kompania Contour Global njoftoi në muajin mars të këtij viti se po tërhiqej nga planet për ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re me kapacitet 500 megavatë. Sipas saj, arsye për këtë është se kompania nuk e ka ndërmend të ndërtojë projekte me thëngjill në të ardhmen, por edhe ndryshimet politike në Kosovë.

“Projekti Kosova e Re nuk mund të ecë përpara. Situata politike në Kosovë që nga korriku, formimi i një qeverie të udhëhequr nga një Kryeministër që e kundërshtoi publikisht projektin dhe mosveprimi i Qeverisë e kanë bërë të pamundur që projekti t’i përmbushë detyrimet e kërkuara”, thuhej në një njoftim për media nga Contour Global.

“Siç kemi thënë në të kaluarën, Kosova ishte projekti ynë i fundit me qymyr. Ne nuk do të zhvillojmë termocentrale qymyri në të ardhmen”, shtoi kompania.

Kosova nënshkroi në fund të vitit 2017 marrëveshjen koncesionare me “Contour Global” për ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re. Ndërtimi i Termocentralit Kosova e Re është kundërshtuar në vazhdimësi nga përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët e konsiderojnë si projekt të dëmshëm për mjedisin dhe thonë se do të çonte në rritje të çmimit të rrymës për qytetarët.

Projekti u kundërshtua edhe nga Albin Kurti, që akuzonte kompaninë britanike se përmes kësaj marrëveshjeje do të shfrytëzonte qytetarët e Kosovës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë