Njerëzit përballen me përvoja dhe presione të ndryshme psikologjike që kërkojnë “shërim”. Por ndërsa klima ndryshon gjatë gjithë kohës, ka njerëz që përballen me Antropoceni ose e quajtur ndryshe “frika ndaj ndryshimeve klimaterike të shpeshta”.
Sociologët shprehen se gjendja e Antropocen kalon vetëm duke u mbështetur tek komuniteti dhe duke i zgjidhur problemet e mjedisit. Ndjenjat e dhimbjes, vuajtjes, frikës, zemërimit dhe pikëllimit për ata që preken drejtpërdrejt nga ndryshimi i klimës ose ata që shikojnë nëpër televizione fenomenet e ndryshimit të klimës, është një gjendje jo shumë e përfolur. Në të gjithë botën, hidhërimi dhe ankthi ekologjik nuk ka një statistikë edhe pse ka njerëz që vuajnë nga kjo gjendje.
Siç argumenton sociologia britanike Caroline Hickman, të gjitha këto pra ankthi dhe frika janë reagime të përshtatshme si një mbrojtje kundër këtyre ndjenjave, të tilla si mohimi, heqja dorë dhe paralizimi që do të thotë se ne nuk bëjmë ndryshimet që na duhen në planetin tonë. Ajo shpjegon se ne vazhdimisht shohim statistika që shkaktojnë frikë dhe na bëjnë të ndihemi të pafuqishëm, gjë që përkeqësohet nga parashikimet apokaliptike të së ardhmes sonë. Ndryshimet e përditshme në stilin e jetës, si përdorimi i biçikletës në vend të makinës, duken të kota kur shihni se ka probleme më të mëdha të mjedisit. Ju jeni vetëm një person dhe nuk mund të përballeni vetëm me këtë forcë të jashtëzakonshme.

Sociologia shprehet se nëse duam të anashkalojmë krizën klimatike, nuk duhet të bllokojmë emocionet tona, por të angazhohemi për ndryshimin e kësaj çështje.
Për “shërimin” e kësaj gjendje shpjegohet edhe tek dokumentari “My Octopus Teacher” ku tregohet se si është lidhja e thellë me natyrën ose me të qenit pjesë e botës së egër.
Siç shpjegon Paula Gunn Allen, një poete, aktiviste, studiuese amerikane, “ne jemi toka” dhe kjo është ideja që duhet të kemi të gjithë. Ajo thotë se nëse njerëzimi do të mësonte dhe përqafonte këtë ide, do të kuptonte se mirëqenia jonë varet nga mirëqenia e Tokës dhe natyrës dhe se kemi detyra e përgjegjësi reciproke për të mbajtur marrëdhënie të ekuilibruara me të. Sipas ekspertëve nëse njerëzimi mund të mishërojë këtë unitet me natyrën dhe të kuptojë detyrat dhe përgjegjësitë tona reciproke ndryshimet klimaterike do të ishin të rralla. Jennifer Marlon, një studiuese e klimës në Universitetin e Yale, e ka quajtur “shpresë të rreme” faktin nëse presim që mrekullitë të ndodhin nga natyra.

Sipas saj ajo që na duhet në vend të shqetësimit është të shpresojmë dhe luftojmë për të ndryshuar gjëndjen e mjedisit. Sipas Marlon ne duhet të besojmë se kemi fuqi për të ndryshuar botën dhe për të frenuar ndryshimet klimatike. Kjo vendosmëri dhe shpresë mund të vijë nga kuptimi i ndërlidhjes sonë me detyrat tona ndaj natyrës dhe vetvetes.
Sociologët shpjegojnë se dëgjimi, përsëritja dhe kuptimi janë mjete të rëndësishme për “shërimin” në Antropocen. Ato mund të na ndihmojnë të merremi me ankthin, shqetësimin dhe zemërimin tonë dhe t’i shohim ato si me potencial transformues.
Sociologët shpjegojnë se kur ekuilibri i ndërlidhur i jetës ndryshon tek njerëzit, pasojat mund të jenë shqetësuese duke nisur nga ankthi e deri në ngjarje fatale, por duhet të angazhohemi dhe të punojmë përmes këtyre emocioneve në mënyrë që të shohim potencialin e tyre transformues dhe të jemi të aftë për të kthyer gjithçka në të mirë të mjedisit dhe shoqërisë. Ekspertët shpjegojnë se duke u mbështetur në mençurinë e njerëzve që kanë jetuar përpara nesh, duhet të mësojmë të shërohemi dhe të gjejmë një ekuilibër me sistemin e Tokës.
Burimi: BBC/ Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



