Politike

Antonio Costa: Nëse ecën me këtë ritëm, Shqipëria mund të anëtarësohet në BE para vitit 2030

Nga Gazeta ‘Si’-Presidenti i Këshillit Europian, António Costa, ka refuzuar të japë një datë të mundshme për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, ndryshe nga çfarë bëri në Podgoricë, ku vendosi 2028 si afatin përfundimtar për mbylljen e negociatave me Malin e Zi.

I pyetur nga gazetarët në Tiranë për një afat të mundshëm për vendin tonë, Costa tha se po jetojmë një momentum, ku Ballkani Perëndimor është më pranë BE-së, se kurrë më parë dhe mundësia duhet shfrytëzuar.

Por, ai u shpreh se duke ecur me këto ritme dhe duke pasur këto rezultate, atëherë është sipas tij tërësisht e mundur që Shqipëria të bëhet anëtare para 2030.

“Nuk po kërkoj ndonjë datë në vetvete, por ne do të shikojmë dita ditës se çfarë po bën Shqipëria, arritjet. Sapo të përfundojmë procesin, në atë moment do të bëhet shtet anëtare e BE, pse jo dhe më parë, përpara 2030.

Nëse do jetë me këto rezultate, atëherë është tërësisht e mundur që të bëhet anëtare para 2030, kjo varet nga ecuria. Mesazhi im është që në muajt në vijim dhe vitet në vijim, jam i sigurt që mund të bëni një punë të shkëlqyer, vitin tjetër kur të vij sërish, jam i sigurt që nuk do më pyesin më të njëjtën pyetje”, tha ai.

Costa theksoi se rezultati i zgjedhjeve të 11 majit, konfirmoi sipas tij dëshirën e shqiptarëve për Bashkimin Europian dhe shtoi se Shqipëria dhe BE-në qëndrojnë së bashku në arenën ndërkombëtare.

Më tej shtoi se dy janë çështjet kryesore për Shqipërinë, lufta kundër korrupsionit dhe sundimi i ligjit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë