Institucioni i Avokatit të Popullit është shprehur me rezerva mbi ligjin special për verifikimin dhe sekuestrimin e pasurive të krimit të organizuar dhe paketën e ashtuquajtur “Anti-KÇK”.
Përmes një reagimi të shkurtër në rrjetet sociale, Avokati i Popullit thotë se problematika në 30 vjet demokraci në Shqipëri nuk ka qenë asnjëherë mungesa e ligjeve, por zbatimi i tyre.
“Moszbatimi i ligjeve nuk zgjidhet me më shumë ligje, por me më shumë zbatim. Në 30 vjet demokraci, kuadri ligjor shqiptar nuk ka vuajtur mungesën e ligjeve të mira, por të zbatimit të drejtë e të barabartë të këtyre ligjeve të mira e të mbështetura me asistencën e vyer të partnerëve tanë ndërkombëtarë”, thotë Avokati i Popullit.
Qeveria miratoi me akte normative dy ligjet të premten e javës së kaluar. Gjatë prezantimit të kësaj nisme dhe të njësisë speciale “Operacioni Forca e Ligjit”, Kryeministri Edi Rama i quajti dy ligjet si instrumenta ekstremë, por të domosdoshme në kohëra ekstreme për të luftuar krimin e organizuar dhe lidhjet e tij me prokurorë e gjyqtarë të korruptuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




