Lajme

Ankth deri në fund, Tirana mposht Flamurtarin

Drita jeshile në fund të tunelit për Tiranë po ndizet. Skuadra bardheblu ka marrë një fitore shumë të vuajtur, por me shumë vlerë përballë Flamurtarit mbrëmjen e kësaj të premte në “Selman Stërmasi” në shifrat 1-0. U desh që të dyja ekipet të vuanin shumë në këtë përballje, por që në fund fati iu buzëqeshi kryeqytetasve.

10 minutat e para të ndeshjes ishin shumë të mira për miqtë nga Vlora që patën disa raste për të shënuar, por sulmuesit nuk arritën të konkretizonin siç duhej. Me kalimin e këtyre minutave të para, Tirana e kalon edhe këtë start të dobët, duke tentuar të dalë përpara. Kryeqytetasit iu afruan disa momente golit, por as Halili dhe as Sentamu nuk ishin të saktë në gjuajtjet e tyre. Vlonjatët nga ana tjetër u kundërpërgjigjën me anë të Danilo Alvesh, por as braziliani nuk e kishte saktësinë e duhur. Në fundin e pjesës së parë Tirana humbi dhe rastin më të mirë, teksa Sentamu me portën e boshatisur nuk arriti të shënonte. Me pjesën e parë që u mbyll në barazim pa gola, në fraksionin e dytë loja do të vijonte me të njëjtin ritëm.

Është sërish Tirana që kërkoi të shënoi, një herë me Sentamun dhe më pas me Turtullin, u duk sikur goli ishte një “mollë e ndaluar” për bardhebluë. Në minutën e 80-të Flamurtari mbeti me një lojtarë më pak, pas daljes me të kuq të Pollozhanit dhe kjo gjë ndikoi shumë në vazhdimin e ndeshjes, me Tiranën që u hodh e gjitha në sulm në kërkim të golit të fitores. Dhe goli i triumfit nuk do të vononte shumë, pasi në të 85-ën do të realizonte shkodrani Edon Hasani. Mesfushori shfrytëzoi në maksimum aftësitë e tij, duke i shpëtuar mbulimit të mbrojtësve dhe mposhti Koliçin.

Mbyllet kështu 1-0 në favor të Tiranës kjo përballje e luftuar deri në minutat e fundit. Ilir Daja mposhtet kështu nga ish-ekipi i tij dhe Flamurtari e shikon veten shumë larg nga Kupat e Europës. Sakaq Tirana me këtë tre pikësh mund të marrë frymë e qetë deri në fund të këtij viti dhe të mendojë më me qetësi për merkaton e dimrit, ku duhen përforcime me çdo kusht nëse duan të evitojnë luftën për mbijetesë.

Formacionet e të dyja ekipeve:

Tirana: Abibi, Imami, Hoxhallari, Turtulli, Kërçiku, Maveje, Hasani, Kobina, Sentamu, Greca, Halili. Trajner: Ardian Mema
Flamurtari: Koliçi, Siljanovski, Alla, Pollozhani, Kotobelli, Useini, Batha, Mustafa, Torasa, Kale, Alvesh Trajner: Ilir Daja


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë