Ngjarje

‘Duhet të depozitohen në një vend të sigurt’ / 102 kontejnerët me mbetje të dyshuara toksike dërgohen në Porto Romano

Nga Gazeta Si- Ka marrë fund qëndrimi në det të hapur i anijes turke “Molivia” me 2100 ton mbetje të dyshuara toksike. Anija është ankoruar mëngjesin e sotëm në portin e Durrësit pasi bëri xhiron e botës me kontenierët me mbetje. Anija u kthye aty nga ku u nis verën e këtij viti, kjo sepse organizata mjedisore Rrjeti i Bazenit dha alarmin se në anije ndodhen mbetje të rrezikshme. 

"Jemi 90 % të sigurt se në anije ka mbetje toksike", tha Jim Puckett, drejtori i Rrjetit të Bazenit.

Për këtë ka nisur hetim prokuroria e Durrësit në 16 gusht, e cila edhe sekuestroi anijen.

Disa orë pas ankorimit, nisi edhe shkarkimi i 102 kontejnerëve dhe më pas nën monitorimin e Policisë së Shtetit u bë zhvendosja e tyre në Porto Romano, në një hapësirë toke të sekuestruar.

Anija me mbetjet e refuzuara nga autoritetet tajlandeze mbërriti në Durrës më 28 tetor. Ajo u la në radën e jashtme të portit detar në pritje të sigurimit të kushteve të kërkuara nga organi i akuzës për venddepozitimin e tyre, një ndër to edhe vendosja në një zonë të sigurt, ku nuk rrezikohen njerëzit dhe mjedisi.

“Është e nevojshme të sekuestrohen në cilësinë e provës materiale me qëllim kryerjen e ekspertimeve përkatëse 102 kontejnerët që janë duke u transportuar në Shqipëri me anijen 'Moliva'. Të merren masa që sendet e sekuestruara të depozitohen në një vend të sigurt”, thuhej në shkresën e Prokurorisë së Durrësit.

Në një intervistë, Puckett theksoi rëndësinë e vendosjes së kontejnerëve në një vend të sigurt.

“Për mua është e jashtëzakonshme që e keni atë material në portin e Durrësit, e mbani aty pa mbrojtje dhe e lini të hapur, që mund të bjerë edhe shiu dhe e lini të hapur. Nuk mund të lini një material të tillë të hapur, që të ngarkohet, pa ditur askush se çfarë përmban, rreziqet nëse bie shi, nëse fryn era që mund ta përhapë këtë material. Pamë foto të mënyrës si po ngarkoheshin, me një traktor për t’i sjellë brenda kontejnerin, nuk ishin të vulosura. Pra nuk kishte ndonjë vulosje apo ndonjë fuçi të veçantë. Ishte një traktor që thjesht po i hidhte brenda kontejnerit. Dhe kjo nuk është praktikë e zakonshme për materiale të tilla”, deklaroi Puckett.

Kjo ngjarje ka shkaktuar debate të forta edhe në kuvend ku opozita ka akuzuar maxhorancën se nuk po ekzekuton vendimin e Prokurorisë së Durrësit, duke thënë edhe se po i lë mbetjet në det për t'i hedhur aty.

Edhe vetë Puckett tha se "shpresoj që hapja e kontejnerëve të bëhet nën mbikqyrje të rreptë dhe në transparencë me publikun".


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë