Gazeta Si – Gjykata e Apelit të Posaçëm ka vendosur të mos i kthejë sendet e sekuestruara bashkëshortes së Erion Veliajt, Ajola Xoxe, e akuzuar për pastrim parash dhe fshehje të pasurisë, duke lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë.
Xoxa, e cila kundërshtoi kontrollin që agjentët e BKH zhvilluan në dhjetor në banesën e saj, kërkoi t’i kthehen dokumentet dhe aparati celular.
Vendimi është dhënë nga gjyqtari Engert Pëllumbi, ndërsa më herët gjyqtarja Ilirjana Olldashi, e caktuar për të shqyrtuar apelimin, ishte tërhequr përkohësisht nga çështja për arsye të paaftësisë në punë.
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Engert Pëllumbi, sot më 19.02.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 53, datë 12.02.2025 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e ankuesve A.X., Shoqëria Tregtare “***” sh.p.k., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 736, datë 20.12.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, lidhur me kundërshtimin e vendimit për sekuestrimin e sendeve”, dhe vendosi: Miratimin e vendimit nr. 736, datë 20.12.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar. Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve nga e nesërmja e njoftimit të tij”, thuhet në njoftim.
Ajola Xoxa kishte ankimuar vendimin e datës 20 dhjetor 2024 të Gjykatës së Posaçme për sekuestrimin sendeve të saj.
Ditën e sotme në SPAK u paraqit nëna e Ajola Xoxës, Valbona, dhe biznesmeni Gentian Sula, i përfshirë në të njëjtën dosje me Veliajn.
Sipas detajeve nga dosja e hetimeve për këtë të fundit, Veliaj dyshohet se ka favorizuar kompaninë e Sulës në tendera publikë.
Erion Veliaj i cili mbahet në paraburgimin e Durrësit, ka vijuar me postime të përditshme në rrjetet sociale ku hedh akuza ndaj prokurorit të posaçëm Ols Dado se ai po përpiqet ta njollosë për hakmarrje personale duke pretenduar se hetimet ndaj tij po zhvillohen për shkak se nuk i dha prokurorit leje për ndërtimin e pallatit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.