Nga Gazeta ‘SI’- Shqiptarët nuk besojnë në jetën pas vdekjes. Kështu tregon anketa e World Survey, ku 60% e shqiptarëve të anketuar janë përgjigjur me jo. Kjo është shifra më e lartë në të gjithë Europën, për qytetarët që nuk besojnë se pas vdekjes ka një jetë. Pas Shqipërisë është Bullgaria, me 48% mosbesues. Të dy vendet, janë të vetmet me përqindjen më të vogël të besimit në jetën pas vdekjes, 23% Shqipëria dhe 25% Bullgaria.
19% e shqiptarëve janë përgjigjur me “nuk e di”.

Në vendet europiane, shifrat për besimin e jetës pas vdekjes luhaten nga 40 në 50% të popullsisë. Shifra më e lartë i përket Turqisë, ku 92% e qytetarëve të pyetur besojnë se pas vdekjes ka jetë. Anketa i përket periudhës 2017-2022.
Ndërkohë, në një tjetër anketë, të vitit 2020, mbi rëndësinë e fesë në shoqëri, pothuajse 50% e shqiptarëve e cilësonin si deri diku të rëndësishme, 24.4% shumë të rëndësishme, 16% jo shumë të rëndësishme.
Vendet europiane që besojnë në jetën përtej vdekjes (teori e lidhur me fenë) janë përgjithësisht negative për rëndësinë e fesë në jetën e tyre, përpos Turqisë dhe Greqisë, ku 77% dhe 63% e të anketuarëve, respektivisht, e konsiderojnë besimin fetar si shumë të rëndësishëm.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



