Nga Gazeta ‘SI’ – Këshilli shqiptar i Investimeve, AIC, ka publikuar anketën e bërë me bizneset shqiptare lidhur me digjitalizimin dhe efektiviteti nuk rezulton i lartë.
Sipas pyetjeve të ndryshme, përgjithësisht bizneset shprehen të kënaqura me ndikimin e shërbimeve publike online si në uljen e barrës administrative dhe në uljen e korrupsionit, për shkak të uljes së kontaktit fizik. Por vërehet një pakënaqësi dhe mungesë e efektivitetit e lartë tek bizneset e vogla.
Sipas konkluzioneve të AIC, ka mungesë digjitalizimi në nivel vendor edhe për shërbime elektronike bazike.
e-Albania vlerësohet si portal lehtësisht i aksesueshëm por, mbetet problem siguria, marrja në kohë e shërbimit, ankimimi dhe asistenca.
Bizneset shprehen me rezerva për Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, që cilësohet si institucioni më problematik në lidhje me përfitimin e shërbimeve online (brenda platformës e-Albania) dhe mbështetjes së ofruar në marrjen e shërbimeve.
Biznesi është i gatshëm të përdorë pagesat online për përftimin e shërbimeve elektronike, por problematike mbetet çështja e sigurisë së të dhënave.
Pavarësisht se mbështet ofrimi i shërbimeve online, biznesi kërkon rihapje edhe të pikave fizike për përftimin e shërbimeve për arsye të pamundësisë së përdorimit të platformave online apo edhe mungesës së mbështetjes institucionale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.