Njerez

Anketa / 50% e shqiptarëve duan të ikin, 84% s’besojnë partitë politike. Mungesë besimi edhe te drejtësia

Nga Gazeta ‘SI’ – Në anketën e kryer nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal RCC, 49% e shqiptarëve të pyetur kanë pranuar se mendojnë largimin nga Shqipëria. Për 67% të tyre destinacioni i ëndrrave është një nga vendet e BE-së dhe për 22% SHBA.

Në pyetjen e mundësisë për të studiuar jashtë, 53% nga shqiptarët që janë anketuar thonë se nuk kanë dëshirë të lëvizin, por sipas RCC kjo lidhet dhe me grupmoshën e të anketuarve.

Barometri ndalet edhe tek sundimi i ligjit në vend, ku situata duket shqetësuese në të gjithë Ballkanin, me Shqipërinë të parën. 82% e shqiptarëve thonë se sundimi i ligjit nuk zbatohet ose nuk është efektiv në vend. 87% e tyre perceptojnë se ligji nuk është i barabartë për të gjithë.

Të ndara sipas funksioneve, shqiptarët kanë pak ose aspak besim te institucionet publike. Sipas anketës, 74% e tyre nuk besojnë në gjykata dhe drejtësi. Norma më e lartë e mosbesimit është tek partitë politikë, 84%, ndërsa ajo më e ulëta tek forcat ushtarake, 40%.

Ndonëse kanë qasje pozitive ndaj idesë së bashkëpunimit rajonal dhe lidhjes më të fortë ekonomike, 76% e shqiptarëve do të zgjidhnin për konsum produkte vendas, 18% nga BE-ja dhe vetëm 2% nga rajoni. Vendet fqinje janë më të hapura për tregti midis shteteve të Ballkanit Perëndimor.

RCC kryen anketën me një numër të caktuar qytetarësh, fokus-grup,  dhe përqindjet janë rezultat i pjesëmarrësve dhe jo të gjithë popullsisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë