Menaxhim

Ankesat dhe mosmarrëveshjet për ujin, ERU ngre strukturë të posaçme

Enti Rregullator i Ujit ka propozuar ngritjen e një strukture për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me konsumatorët dhe shoqërive, Struktura për Zgjidhjen Alternative të Mosmarrëveshjeve, SZAM.

Në këtë strukturë janë tre anëtarë, pjesë e organikës së Entit, të cilët do të trajtojnë ankimimet që vijnë nga pala e konsumatorëve për raste të ndryshme të lidhur me ujësjellësit.

“Struktura për Zgjidhjen Alternative të Mosmarrëveshjeve (SZAM) është një strukturë e përhershme me 3 anëtarë të cilët janë pjesë e organikës së ERRU-së, përgjegjës për zgjidhjen e një mosmarrëveshje përmes një procedure të zgjidhjes alternative të mosmarrëveshjeve midis konsumatorëve dhe operatorëve UK” thuhet në draft rregullore.

E njëjta përcakton se gjatë procesit të shqyrtimit të mosmarrëveshjes palët nuk e kanë detyrimin që të kenë një avokat ose këshilltar ligjor. Çdo ujësjellës në faqen e tij të internetit është i detyruar që ta bëjë të dukshme ekzistencën e kësaj strukture të re dhe si një formë alternative që u ofrohet konsumatorëve kur kanë mosmarrëveshje me ujësjellësit.

Struktura e posaçme shqyrton mosmarrëveshjen, evidenton shkeljet e pretenduara nga konsumatori mbi respektimin e marrëdhënies kontraktuale dhe në përfundim fton të dyja palët, konsumatorin dhe përfaqësuesin e autorizuar nga shoqëria UK, në një seancë dëgjimore.

Pas shqyrtimit struktura njofton palët për formën alternative me të cilën mund të zgjidhin mosmarrëveshjen dhe vënën në dijeni se kjo formë nuk përjashton që ata të kërkojnë të drejtën përmes formave të tjera siç janë proceset gjyqësore.

Palëve u lihet një periudhë prej 15 ditësh kalendarike për të vendosur, përpara se të shprehin pëlqimin e tyre nëpërmjet një deklarate të nënshkruar nga ana e tyre për një zgjidhje të propozuar ose një marrëveshje miqësore.

Në rast se procedurat e zgjidhjes alternative të mosmarrëveshjeve parashikojnë që rezultati i tyre është detyrues për operatorin UK, pasi konsumatori e ka pranuar zgjidhjen e propozuar, përcaktimet e pikës së mësipërme janë të zbatueshme vetëm për konsumatorin.

Dokumenti i ERRU parashikon formularin që paraqitet nga konsumatori pranë strukturës dhe që mund të dorëzohet në çdo lloj forme qoftë me postë ose dorazi.

“Rezultati i procedurës së ZAM-it i njoftohet palëve brenda një periudhe prej 90 ditësh kalendarike, nga data në të cilën struktura ZAM ka marrë të gjithë dosjen e ankesës. Kur e gjykon të nevojshme, struktura ZAM mund ta zgjasë afatin prej 90 ditësh kalendarike.

Palët duhet të informohen për çdo zgjatje të asaj periudhe dhe për kohëzgjatjen që mendohet se do të nevojitet për përfundimin e mosmarrëveshjes, por ky afat nuk mund të kalojë 60 ditë kalendarike, përtej afatit 90-ditor” thuhet në dokument.

Në nenin 20 që lidhet me shqyrtimin e mosmarrëveshjes parashikohet që pas njoftimit me shkrim nga struktura mbi pranimin e trajtimit të mosmarrëveshjes dhe fillimit të procesit, palët kanë të drejtë të shprehin me shkrim mendimin e tyre, si dhe marrin nga struktura ZAM argumentet, dëshmitë, dokumentet dhe faktet e paraqitura nga pala tjetër, brenda një periudhe prej 15 ditësh kalendarike pas marrjes së njoftimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë