Lajme

Ankesa për çmimet në bregdet, zgjidh sipas xhepit!

Sabina Veizaj-Më 2012-ën Greqia ishte ende në krizë dhe oferta turistike pësoi një ulje çmimesh të jashtëzakonshme. Megjithatë, shumë syresh të ndikuar psikologjikisht nga kriza, e refuzuan Greqinë.

Në korrik të 2012-ës, unë gjendesha në Dasia të Korfuzit, ku kriza ndjehej skajshëm. Kishte shumë pak turist. Struktura hoteliere ku bujta (por nga bisedat kuptova edhe të tjerët) kishte shkurtuar punonjësit dhe ata që kishin mbetur bënin disa punë njëherësh duke zëvendësuar burimet njerëzore të munguara.

Lokalet e natës, tavernat, Pub-et, restorantet në menutë dhe çmimet e deklaruara ndanë rrugës reklamonin ofertat e ditës dhe natës duke nisur nga 10 % ulje.
Tek- tuk shihje gjallëri në ndonjë lokal nate dhe kuptoje nga gjuha që ishin italianë. Por festat ishin sporadike.

Kurse në Shqipëri vërehet një tjetër fenomen: sapo çel sezoni turistik dhe ne turravrap në jug, nisim breshërinë e ankesave kudo të mundemi në rrjetet sociale në lidhje me çmimet, shërbimin, zhurmat, etj.

Oferta turistike edhe pse nuk është e qëndrueshme dhe e konsoliduar mbetet po ajo e një viti precedent.

Sipas të dhënave që ka Gazeta “SI”, në Velipojë çmimet variojnë nga 20 euro deri në 80 euro vetëm për fjetje, pa përfshirë ushqimin.

Një pjesë shumë e mirë e turizmit, sipas burimeve të Gazetës “SI” zhvillohet mbi shtëpi pritëse. Çmimi i tyre varion nga afërsia e vijës së rërës.

Velipoja ka një kapacitet hotelier prej 25 mijë shtretërish, ndërsa vitet e fundit ka edhe një zgjatje të sezonit që nis në maj dhe përfundon në tetor, në varësi edhe të motit.
Aurela, një mikesha ime që pushoi në Borsh këtë vit, (por lëvizi edhe në plazhe të tjera), e cila punon në institucion publik me rrogë të nivelit specialist, më thotë se “Në perceptimin tim dhe të rrogës time është standard i vështirë, por kur e krahason me rajonin, mendoj që për të huajt janë çmime të kënaqshme. Ajo që vura re këtë vit ishte një lloj përpjekjeje, kopje të çmimeve në ushqim. Edhe lokalet e vegjël e të thjeshtë, imitonin çmimet e lokaleve më të mirëmbajtur”- më thotë ajo duke vijuar sqarimin se “Durrësi kishte çmime të luhatshme të çadrave dhe ende shihet dëshira për ta vendosur çmimin aty për aty, si t’ja hajë mendja. 700 lekë më tha çadra në Golem, ku s’ka mbet as plazh, as det. Për mua Qeparoja ishte vend i kënaqshëm”.

Aurela më tregon se menuja e peshkut niste nga 900 lekë për 350gr deri në 3000 lek.
Sallatat varionin nga 350-700 lekë, supat 350-500 lekë. Kafja 80-120 lekë, por gjeje diku edhe 50 lekë. Një çadër 2 shezlong 500 lekë

Hotelet nga 40 euro dhoma çift deri 200 euro, por kishte edhe 700 euro Saranda.
Marjeni ka pushuar këtë vit në Lukovë. Marjeni zotëron Explorer Travel & Tours. Nga eksperienca e tij shumë vjeçare, ai thotë se në Lukovë çmimet ishin normale.
“600 lekë një rizoto me fruta deti, po kaq ishte dhe spageti. Pijet kishin cmime normale; birra 200 lekë. Shërbimi i mirë, jo super, por i pranueshëm. Çmimi i shezllonëve 500 lekë. Pastërtia e mirë tek pjesa që menaxhojnë bizneset, pastaj pjesa publike me problem”- më thotë Marjeni.

Lukovë

Sipas tij në përgjithësi këto çmime variojnë mesatarisht në plazhet masive private të cilat nuk janë ato plazhe luksoze me emër që grumbullojnë specifikisht të rinj.
Migen Xhelo, nga Travel Club Albania në Vlorë më thotë se edhe përmes agjencive çmimet e hoteleve janë normale, madje gjysmë për gjysmë me çmimet që ofron rajoni.

“Një hotel i mirë me 4 yje, për muajn gusht, dhomë çift standarte kushton 65€ euro nata me mëngjes. Duke krahasuar me rajonin, atje fillojnë nga 120euro për të njëjtin shërbim. Ndaj them që çmimet janë normale, shërbimi ka të bejë me kulturën që kanë bizneset.”- thotë Xhelo.

Në fakt nga sa dëshmuan pushuesit rreth çmimeve në bregdet, kryesisht të menyve të restoranteve, nuk rezulton të ketë ndryshim me çmimet e restoranteve të Tiranës.
Nëse del në Tiranë për darkë a drekë për sushi tre veta, paguan minimalisht 5000 lekë përfshirë një pije. Kurse për prodhimet e tjera të detit minimlaisht paguan:

1.Menu 1090 L/P
Hurma Sallate mix Supë peshku Midhje sote Pasta/risotto fruta deti Ëmbëlsirë
2.Menu 1490 L/P
Hurma Sallatë mix Supë peshku Midhje sote Karkaleca zgare
Pasta/risotto fruta deti Peshk zgare Fruta Ëmbëlsirë
3.Menu 2090 L/P
Hurma Sallatë mix Supë peshku Crudo mix #Karkaleca zgare Pasta/risotto fruta deti Peshk zgare Fruta Ëmbëlsirë

Kurse produktet si rizoto, spageti me fruta deti, supë, sallatë, pije, çmimet në bregdet rezultojnë njëjtë si në Tiranë, edhe pse ti mund të konsumosh vaktet në restorant buzë apo me pamje nga deti.

Në rastet e ankesave kolektive, të cilët me gjithë ankesat vijojnë frekuentojnë plazhet e shtrenjta, duhet kuptuar koncepti pushim; si një e drejtë e bazuar në mundësi.

Si në jug, ashtu edhe në Shqipërinë e mesme apo në plazhet e veriut, si kudo në botë ka mundësi për të gjithë; nga hotelet me 5 yje deri tek shtëpitë ku mund të gatuash ku përzgjedh se sa mundësi qëndrimi ke sepse edhe në Tiranë jo të gjithë kanë mundësi të shkojnë në restorant çdo ditë për të gjitha vaktet.

Prandaj ne shqiptarët duhet të bëjmë diferencën mes konceptit të përditshmërisë dhe atij të pushimeve.

Por përpara se të ankohemi për bregdetin, që në çdo vend të botës çmimet e produkteve në vendet turistike janë disa fish më të mëdha, së pari le të ankohemi për kryeqytetin, ku çmimet janë të krahasueshme me çmimet europiane, pavarësisht se oferta është më e madhe, fuqia punëtore më e madhe dhe kontributi që kryeqyteti jep në ekonomi është më i madh.
Mandej të kalojmë tek shërbimi, i cili po do të vazhdojë të çalojë si rezultat i shumë faktorëve; thelbësorë dhe rrethanorë.

Në lidhje me shërbimin Xhelo ngre një problematikë që e ngrenë shpesh të gjithë bizneset; mungesën e punonjësve të kualifikuar. Por Xhelo thekson se nga njëra anë emigracioni, nga ana tjetër kriza politike dhe operacionet antiinformalitet në pikun e sezonit turistik, po e godasin edhe atë përpjekje që biznesi bën për tu konsoliduar.

“Është krizë për punonjës. Vështirë të gjesh punonjës të kualifikuar. Të gjithë të rinjtë po kërkojnë të ikin jashtë vendit. Edhe pse në shumë biznese ofrojnë rroga shumë të mira duke i krahasuar edhe me Europën”- thotë ai, duke u përpjekur të shpjegojë se pavarësisht abuzimeve sporadike, përpjekjeve për të ndryhsuar mentalitetin në shërbim, çmimet janë normale si çmime për të pushuar, për shqiptarët, kurse për të huajt janë shumë të lira.
Megjithatë edhe plazhi bëhet duke u ankuar në facebook…

.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë