Ngjarje

Ankesa e kishës serbe pezullon ndërtimin e rrugës në Kosovë

Ndërtimi i rrugës që lidh Kosovën me zonën e Plavës dhe të Gucisë në Mal të Zi u ndërpre përkohësisht për shkak të protestave të klerit ortodoks serb, që pretendon se rruga rrezikon manastirin e Deçanit.

Igumeni serb i Deçanit, Sava Janjiç kërkoi ndërhyrjen e komunitetit ndërkombëtar që të ndalohej, sipas tij, rruga që kalon në territorin e manastirit dhe rrezikon ndërtesën e shekullit të 14-të, që është shpallur monument i trashëgimisë botërore nga UNESCO.

“Një autostradë nuk duhet që të kalojë pranë monumentit të shekullit të 14-të të trashëgimisë botërore të UNESCO-s”, shkroi Janjiç përmes rrjeteve sociale.

Përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe janë ankuar se autoritetet e Kosovës po shkelin të drejtat pronësore të klerit, të përcaktuara me Ligjin për Zonat e Posaçme të Mbrojtura. Serbët akuzojnë se po u refuzohet njohja e pronësisë së kishës ortodokse të disa parcelave tokë përreth manastirit të Deçanit, që preken nga projekti i rrugës.

Pezullimin e konfirmoi kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj të shtunën. Ai tha se pezullimi është bërë pas kërkesës së Kryeministrit Avdullah Hoti dhe se ai është i përkohshëm. Deklarata e tij u bë pas takimit që pati me komandantin e KFOR-it, Michele Risi. Risi u takua gjithashtu edhe me klerikun serb, Sava Janjiç.

Ramosaj hodhi poshtë pretendimet e kishës ortodokse serbe se rruga rrezikon manastirin. Ai tha se rruga nuk dëmton manastirin dhe ndërtimi i saj nuk bie ndesh me asnjë ligj vendas.

Në lidhje me këtë çështje ka reaguar edhe Serbia. Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç premtoi se do ta përfshijë këtë tematikë në takimin e radhës që do të mbahet më 7 shtator në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE, ku do të kërkojë ndalimin e përhershëm të punimeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë