Andrea Di Carlo- E lindur në Vlorë më 30 prill 1972 dhe e shkolluar në Universitetin e Tiranës, Anilda Ibrahimi u largua nga Shqipëria në vitin 1994 dhe prej vitit 1997 jeton në Romë. Që nga romani i saj i parë, “Rosso come una sposa” (Einaudi, 2008), me të cilin fitoi disa nga çmimet më prestigjioze italiane të letërsisë, ajo ka ndërtuar një rrugë të suksesshme si autore në gjuhën italiane, duke ruajtur në qendër të rrëfimeve të saj figurën e gruas shqiptare dhe kujtesën kolektive të viteve të errëta të diktaturës.
Krijimtaria e saj përshkohet nga një stil i kthjellët, i ndjeshëm dhe trupor, ndërsa katër romanet e botuara deri më sot janë përkthyer në gjashtë gjuhë dhe kanë marrë vlerësime të shumta.
Ibrahimi është sot një nga zërat më të spikatur të letërsisë bashkëkohore italiane dhe një nga figurat më përfaqësuese të diasporës shqiptare. Në këtë intervistë, ajo flet për rrënjët, letërsinë, realitetin shqiptar dhe aromën e pandryshueshme të fëmijërisë.
Në romanin tënd “E kuqe si një nuse”, ekziston një lidhje e fortë me një botë “tjetër”, të paprekshme , botën e të vdekurve që duket se diktojnë rregullat që duhet ndjekur në përditshmëri. Saba flet me ta, i përditëson, u këndon vargje me rimë. A buron kjo qasje nga një ndjenjë tradicionale respekti për të vdekurit që vjen nga familja jote?
Në të vërtetë, tradita letrare e vajtimit mortor rrjedh nga një zakon i lashtë në të gjithë pellgun e Mesdheut, që në kontakt me kultura dhe gjuhë të ndryshme merr forma të ndryshme. Përveç dhimbjes, mungesës dhe nostalgjisë për të vdekurit, u këndohet edhe ngjarjeve të të gjallëve, që zinxhiri i brezave të mos këputet.

Romani yt është një përvojë e fuqishme shqisore. Ndihen aromat, shijet e ëmbëlsirave (gurabije, llokume), kafes turke, ftonjëve. Ky dimension magjik në jetën e përditshme më kujtoi disa shkrimtarë latinë si Jorge Amado apo Gabriel García Márquez. E ndien veten të lidhur me ta?
Në të vërtetë, nuk ndiej ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë me këta shkrimtarë, edhe pse më pëlqejnë shumë. Elementet magjike në romanin tim janë të pakta, ndoshta një trashëgimi nga një kulturë kryesisht gojore që në libër merr formë të ngjashme me realizmin magjik. Por në mënyrë të qëllimshme kam përdorur një stil të zhveshur, të kursyer (të paktën në qëllim), sepse unë vetë në jetë jam goxha llafazane ndaj më pëlqen një mënyrë shkrimi e drejtëpërdrejtë, e thjeshtë. Po, ndjehet një lirikë e caktuar, për fat të keq nuk ia dola dot ta “pastroj” plotësisht gjuhën time, duke mos dalur nga natyra jonë e vërtetë. Sa për dimensionin shqisor, kjo vjen sepse për mua shkrimi është pothuajse fizik . Nuk i dua “monologët metafizikë” ndaj kjo trupësi ndihet përmes aromave, shijeve, ndjesive… dhe kjo më bën vërtetë të lumtur.
Shqipëria e Hoxhës paraqitet si një burg, ose më saktë si një izolim nga bota, ku gjithsesi njerëzit arrinin të ruanin një lloj ekuilibri. A ekziston ende, pas vitit 1990, ky ekuilibër në jetët e shqiptarëve?
Bëhet fjalë për epoka të ndryshme. Natyra njerëzore është e tillë , përshtatet dhe kërkon me çdo kusht një normalitet, një ekuilibër, edhe në kushte të brishta. Këtë aspekt të diktaturës doja të sillja në roman. Pas vitit 1990, nëse është gjetur ndonjë ekuilibër, ai padyshim është ndërtuar mbi vlera dhe sfida të tjera. Në Itali, sipas meje, është abuzuar me fjalën “komunizëm”. Ekzistojnë lloje të ndryshme komunizmi. Në Shqipëri, sigurisht, nuk hanim fëmijë. Ishte një diktaturë, po, madje quhej “diktaturë e proletariatit”, me mbyllje totale dhe luftë klasash, por në terma ekonomikë dhe të arsimit publik, shqiptari mesatar ishte më mirë sesa italiani mesatar sot. Të paktën, çdo njeri kishte një shtëpi si e drejtë ligjore dhe kishte mbështetje sociale të ngjashme me ato të Europës së Veriut. Mungonte liria e fjalës dhe e opinionit, por po më lejuat një pyetje: ç’bëni ju me fjalën, që e përdorni me bollëk?
Një pyetje e drejtpërdrejtë: si është sot në Shqipëri? Ka liri të shumëpritur, apo është thjesht një reklamë politike?
Shqipëria është një vend i lirë dhe demokratik, të paktën në kuptimin që italianët i japin këtyre fjalëve. Diktatura ra në vitin 1991 dhe e përsëris nuk ka më kuptim të flasim për komunizëm. Të paktën në Europë, pas rrëzimit të Murit të Berlinit dhe vdekjes së Ceaușescut, gjërat ndryshuan shpejt për të gjithë. Uroj që pasuritë e vendit të mos përqendrohen, si në Itali, që është një vend i polarizuar, dhe që ka hendekun e gjashtë më të madh mes të pasurve dhe të varfërve në OSBE. Uroj gjithashtu që të ketë një klasë politike ndryshe nga ajo italiane.

Në fund të romanit, më lindi një pyetje: I gjete dot ftonjtë në Romë?
Sigurisht, këtë vit i gjeta rastësisht pranë shtëpisë. Në tregun e rrugës Andrea Doria (nuk është se po bëj reklamë të fshehtë, apo jo?) i kishte vetëm një tezge. E mora gjithë arkën. Disa do t’i mbaj për erën e tyre, dhe me të tjerat do bëj reçel. Gjithsesi, nuk kishin të njëjtën aromë si ato të fëmijërisë. Sepse asgjë nuk ka erën e fëmijërisë sonë.
Burimi: Mangialibri.com
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.