Lajme

Anija shqiptare shpëton 84 refugjatë në Egje

Misioni i Forcave të Armatosura shqiptare në Detin Egje, i përfshirë në operacionin ndërkombëtar në kuadër të NATO-s në 24 orë ka ndërmarrë dy operacione të njëpasnjëshme duke shpëtuar jetën e 84 refugjatëve.

Anija “Lissus” rreth orës 21:35 të mbrëmjes së të shtunës ka marrë në bordin e saj 39 persona, nga të cilët 31 ishin palestinezë dhe 8 të tjerë sirianë, që po udhëtonin me një gomone.

Operacioni i dytë është ndërmarrë paraditen e sotme, ku nga bordi i një gomoneje u shpëtuan 45 persona, mes të cilëve gra dhe fëmijë.

Kjo nuk është hera e parë që anijet e Flotës Shqiptare përfshihen në operacione të ngjashme parandalimi dhe shpëtimi refugjatësh në ujërat greke. Shqipëria është angazhuar në këtë mision në kuadër të NATO-s dhe përmes një vendimi të miratuar disa ditë më parë, Qeveria e zgjati misionin e tyre deri më 31 dhjetor të 2019.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë