Njerez

Anglia shpall ‘non grata’ shqiptarin e përfshirë në trafik njerëzish

Nga Gazeta Si- Mbretëria e Bashkuar ka vendosur sot për herë të parë sanksione të posaçme kundër trafikimit të paligjshëm të njerëzve, duke shënjestruar udhëheqës të bandave kriminale, ndërmjetës dhe furnizues të pajisjeve për kontrabandimin e emigrantëve, nga Azia deri në Ballkan dhe Afrikën e Veriut.

Sanksionet prekin një gamë të gjerë aktivitetesh kriminale, nga furnizimi me varka të vogla për kontrabandë, sigurimi i pasaportave të rreme, transferta ilegale, kontrabandimi me kamionë apo varka, deri tek drejtuesit e rrjeteve kriminale.

Masat përfshijnë ngrirjen e pasurive, llogarive bankare dhe ndalimin e veprimeve financiare me Mbretërinë e Bashkuar, duke synuar të paralizojnë aktivitetin kriminal.

Mes emrave që u sanksionuan sot është edhe shqiptari Bledar Lala, që sipas qeverisë britanike, është drejtues i operacioneve të një bande në Belgjikë që trafikon njerëz përmes Kanalit Anglez.

“Ai kontrollon “operacionet belge” të një grupi të organizuar kriminal që trafikon emigrantë nga Belgjika përmes Kanalit Anglez në Mbretërinë e Bashkuar”, shkruhet në njoftimin e qeverisë britanike.

Kjo iniciativë është pjesë e planit qeveritar “Plan for Change”, dhe është sanksioni i parë në botë i dedikuar për të luftuar trafikimin e njerëzve dhe krimin e organizuar të emigracionit të paligjshëm.

David Lammy, Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar tha se “ky është një moment historik në përpjekjet tona për të ndalur krimin e organizuar të emigracionit. Ne do t’i gjejmë trafikantët kudo që të jenë dhe do t’i bëjmë përgjegjës. Mesazhi im për bandat që rrezikojnë jetë njerëzish për përfitime është i qartë: E dimë kush jeni dhe do të bashkëpunojmë me partnerët tanë për t’ju ndalur.”

Emrat që u sanksionuan sot:

Alen Basil, ish-përkthyes policor në Serbi, që drejton një rrjet kontrabande të dhunshëm, bashkë me zyrtarë të korruptuar.

Mohammed Tetwani, i njohur si “Mbreti i Horgos” në Serbi, udhëheqës i bandës famëkeqe Tetwani që torturon refugjatët që nuk paguajnë.

Një kompani kineze, Weihai Yamar Outdoors Product Co, u sanksionua për shitjen e varkave të përdorura për trafikim të njerëzve drejt Britanisë.

Grupi i lidhur me Irakun:

Goran Assad Jalal, kontrabandonte emigrantë në frigoriferë kamionësh.

Hemin Ali Salih, Dedawan Dazey, Roman Ranyaye, Azad, Nuzad dhe Nihad Khoshnaw – të gjithë të përfshirë në kontrabandë njerëzish dhe pajisje për udhëtime të rrezikshme nëpër kanal.

Rrjeti Hawala (transferime të paligjshme parash):

Muhammed Khadir Pirot, Mariwan Jamal dhe Rafiq Shaqlaway – të përfshirë në menaxhimin e pagesave për trafikantët nëpërmjet Hawala-s nga Iraku në Turqi dhe më tej.

Bandat nga Afrika e Veriut në Ballkan:

Banda Kazawi dhe banda Tetwani – të njohura për dhunë ekstreme ndaj emigrantëve që nuk mund të paguajnë.

Yassine Al Maghribi Al-Kasaoui, drejtues i bandës Kazawi.

Grupet që prodhojnë pasaporta false në Ballkan:

Banda Kavac dhe Skaljari në Malin e Zi – kontrabandojnë me pasaporta false nëpër Turqi dhe Ballkan.

Dalibor Curlik, Almir Jahovic, Marko Petrovic, Nikola Vein, Ratko Zivkovic dhe Dejan Pavlovic – të gjithë të përfshirë në sigurimin e dokumenteve të falsifikuara.

Sanksionet përfshijnë:

Ngrirje pasurish – askush në Britani apo me lidhje britanike nuk mund të ketë marrëdhënie financiare me personat e sanksionuar.

Ndalesë udhëtimi – të sanksionuarit nuk mund të hyjnë ose të qëndrojnë në Mbretërinë e Bashkuar.

Ndalesë për drejtues kompanish – ndalim për të qenë drejtor apo menaxher në kompani britanike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë