Katar 2022

Anglia likuidon Senegalin me një ‘tris’, tani sfidon kampionët e botës

Gazeta Si – Angli-Francë është çerekfinalja e dytë e Botërorit të Katarit. Njëra prej dy skuadrave më të mira të turneut duhet të lërë Katarin shumë shpejt. Pas kualifikimit të kampionëve të botës gjatë pasdites, edhe Anglia ka fituar pastër me Senegalin, 3-0.

Në fund të pjesës së parë, që ishte disi e vuajtur për anglezët, mendoi Henderson për të zhbllokuar rezultatin. Më pas u zhbllokua edhe kapiteni Herri Kejn dhe skuadra e Southgejt shkoi e qetë në dhomat e zhveshjes.

Në fillim të pjesës së dytë Saka mbylli llogaritë me golin e tretë, duke bërë që Senegali të largohet nga Botërori me një humbje të rëndë, edhe pse e nisi mirë ndeshjen.

‘Tre Luantë’ kanë përmbushur misionin e kalimit të çerekfinale, por iu desh gjysmë orë që të gjenin koordinatat e duhura. Tani përpara është sfida me kampionët e botës, një ndeshje tërheqëse, që Botërorit i mungon prej 40 vitesh. Hera e fundit që këto skuadra janë ndeshur i takon vitit 1982, në Spanjë, ku fituan anglezët 3-1.

Anglia dhe Franca, për më tepër nuk janë ndeshur kurrë në fazën me eliminim direkt në historinë e tyre, por vetëm në fazën e grupeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë