Kur duhen pak më shumë se 4 orë nga starti i sfidës në “Wembley”, skuadrat janë në hotelet përkatëse dhe stafet teknike duke i dhënë dorën e fundit formacioneve. Sa i përket Shqipërisë, Sylvinho (nisur edhe nga mungesat) pritet ta rrjeshtojë skuadrën në skemën 4-3-3 me lojtarë të rëndësishëm që mund ta nisin edhe nga stoli.
Në portë pritet të jetë Strakosha që përpara do të ketë 4 mbrojtës. Balliu duke nisur nga e djathta (në mungesë të Hysajt). Qendra do të formohet nga Kapiteni i rikthyer Gjimshiti dhe Ajeti (që zëvendëson Ismajlin), ndërsa në të majtë pritet të luajë Aliji.

Mesfusha do të formohet nga tre-dhëmbëshi Asllani, Ramadani, Laçi. Sulmues i djathtë Asani, sulmues i majtë Bajrami dhe në qendër Myrto Uzuni që duket më i avantazhuar se Armando Broja që mund të futet nga stoli për shkak të dëmtimit të gjatë që po lë pas.
Gjermani Tuchel duket se ka zgjedhur rrjeshtimin 4-2-3-1 për debutimin e tij në stolin e “Tre Luanëve” të cilët në portë do të luajnë me Pickford që do të paraprihet nga një kuartet me Walker në të djathtë, Guehi & Colwill në qendër dhe Lewis Skelly në të majtë.

Përpara mbrojtjes do të vendosen Rice dhe Henderson ndërsa një triumvirat do të plotësojë mesfushën: Rashford, Bellingham, Foden. Në majën e sulmit, i zakonshmi tashmë, Harry Kane (që shënoi një 3 golësh në portën e Strakoshës, më shumë se 3 vjet më parë).
Nga ndeshja e vitit 2021 anglezët kanë ruajtur Pickford, Walker, Henderson, Foden, Kane. Ndërsa te kuqezinjtë kanë mbetur Strakosha, Uzuni dhe Bajrami.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.