Njerez

Angelin Preljocaj pranohet në Akademinë e Arteve të Bukura të Francës- Një nderim për koreografin me rrënjë shqiptare

Nga Gazeta ‘Si’– Të mërkurën e 21 Majit nën Kupolën e Pallatit të Institutit të Francës, u zhvillua ceremonia zyrtare e pranimit të balerinit dhe koreografit Angelin Preljocaj si anëtar i seksionit të koreografisë në Akademinë Franceze të Arteve të Bukura.

Koreografi me famë botërore, me origjinë shqiptare, u emërua në këtë detyrë nga artistja Astrid de La Forest, anëtare e seksionit të gravurës dhe vizatimit.

Pas seancës solemne, Nicole Saïd ,ish-drejtoreshë e Baletit Preljocaj dhe bashkëpunëtore e ngushtë e tij për gati katër dekada i dorezoi atij shpaten simbolike të akademikut, një krijim i dizajneres së njohur Constance Guisset.

Ky moment simbolik kurorëzon një karrierë të jashtëzakonshme që ka lënë gjurmë në skenën ndërkombëtare të vallëzimit bashkëkohor.

Preljocaj ishte zgjedhur më 24 prill 2019 në vendin e tretë të seksionit të koreografisë, seksioni më i ri i themeluar në kuadër të Akademisë së Arteve të Bukura, një institucion prestigjioz që nderon kontributet më të rëndësishme në artet vizuale dhe skenike në Francë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë