Lajme

Anëtari i Kamorrës fshihej në Durrës si dentist, i sekuestrohen 750 000 euro pasuri

Policia e Durrësit ka sekuestruar pasurinë me vlerë 750 mijë Euro, e cila dyshohet se është vënë në rrugë kriminale.
Siç njofton policia, pasuria i përket 56-vjeçarit italian F. M., i cili rezulton i dënuar në Itali si pjesë e konflikteve mes klaneve kriminale kamorriste në Napoli, por edhe porositës i një vrasjeje.
Policia thotë se shtetasi italian F. M. ishte me leje qëndrimi në Shqipëri dhe fshihej si dentist. Në vitin 2012 ka regjistruar shoqërinë sh.p.k, me objekt prodhimi dhe tregtimi i medikamenteve dhe pajisjeve dentare, në Tiranë, me 50% të aksioneve në pronësi të tij.
Në vitin 2015 ka regjistruar shoqërinë me objekt prodhimi dhe tregtimi i pajisjeve mjekësore-kirurgjikale për larje dhe dezinfektim ambientesh, ku 45 % të kuotave i posedon F.M.
Në vitin 2015 ka regjistruar shoqërinë me objekt laboratore dentare, ku F. M. ka 30 % të kuotave.
Hetimi i policisë shqiptare ka nisur prej 18 muajsh për pastrim parash ndaj italianit të rrezikshëm, ku janë sekuestruar 5 apartamente banimi, me sipërfaqe 413.8 m2, në Durrës; 13 garazhe me sipërfaqe 622.7 m2, në Durrës; 1 automjet me vlerë 40 000 Euro dhe afro 10 000 euro llogari bankare.
Aktualisht, strukturat për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar po punojnë në bashkëpunim me administratorët e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara e Konfiskuara, për t’i kaluar në administrim të tyre, në bazë të ligjit “Për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara e të Konfiskuara”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë