Politike

Anëtarësimi/ Rama: Kushte që nuk i merrni dot me mend! Çdo draft që vjen nga BE duhet miratuar

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama ndërsa foli për sfidat e anëtarësimit të Shipërisë në Bashkimin Europian, tha se kushtet nga kjo e fundit nuk janë të lehta.

Megjithatë, ai shtoi se kur përfaqësuesit europianë bëjnë propozimet e tyre apo vendosin piketat, ato duhen miratuar.

Sipas tij Shqipëria nuk është në kushtet për të negociuar draftet që vijnë nga BE.

 “Kemi pasur deri më sot disa raste që në mënyrë të natyrshme, procesi i diskutimeve dhe miratimit të ligjeve që kanë të bëjnë me anëtarësimin në BE është vonuar apo marrë lehtë si një proces ku ne kemi lirinë të fusim duart sipas opinioneve tona. Ne nuk e kemi këtë liri, që të jemi të qartë, kemi lirinë që të negociojmë me BE-në.

Nuk kemi lirinë që pasi negociojmë, të diskutojmë, që do të thotë negociatat mbi një draft që hyn në të gjithë mekanizmin e gjerë dhe kompleks të arkitekturës së ligjit europian negociohet me Komisionin, I imponohet qeverisë dhe vjen në Parlament. Kur vjen, duhet miratuar, jo diskutuar! Sepse që t’i hyjmë diskutimit të një ligji të tillë, dujhet të diskutojmë a duhet të hyjmë në BE apo jo.”

Më tej, nënvizoi një “gabim” që sipas tij e ka bërë dhe vetë, bashkë me kolegë në politikë. Ai i udhëzoi ata të mos krahasojnë Shqipërinë me vendet e tjera të Evropës.

“Marrin një draft dhe i referohen vendeve të tjera në BE, shiko se Franca nuk e ka, Gjermania…Miqtë e mi, këtë gjë po e ndaj me ju si eksperiencë dhe duke shpresuar se ju e dini që unë nuk jam lehtësisht i përthyeshëm, ju ftoj të jeni të gjithë të përthyeshëm në këtë pikë. Sepse kur ngrihet kjo pyetje, përgjigja është se që ta bëni si Franca duhet të jeni Franca. Ju jeni Shqipëria! Kushtet janë këto, nëse doni. Nëse s’doni, mund ta bëni si të doni!”, argumentoi Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë