Njerez

Andrea Marko apo dinamoviti që “gërric” memorien

Nga Edmond Prifti - Në fillim të nëntorit, në datën 3, ai mbushi plot 63 vite, ndërsa më 30 nëntor ai feston ditën e emrit. Me një karrierë të suksesshme, si futbollist i ekipit të Dinamos te të rinjtë, që nga janari i vitit 1972, por edhe për 11 vite si mesfushor i Kombëtares Shqiptare, (1975-1986) emri i Andrea Markos, me fanellën numër 10, është i njohur jo vetëm nga ata që “marrin erë” nga futbolli, si trajner, komentator e gazetar sportiv apo si themelues i shoqatës “Marko Futboll”.

Ekipi i Dinamos në vitin 1985 dhe Andrea Marko i fundit nga e djathta poshtë

Kur e pyetëm për vitet e suksesshme të karrierës, Andrea, emri i të cilit vjen nga stërgjyshi i tij, Andrea Marko i parë, ka pasur ulje e ngritje të shumta, si aktivizimi i parë në kualifikimet për Kupën e Botës në vitin 1980, kundër Finlandës e Polonisë në vitin 1985, apo edhe momenti i trishtë i vitit 1986, kur edhe la përfundimisht futbollin, - i arrestuar për hapjen e skedinave sportive derisa u lirua më 18 shkurt 1986 (18 ditë). Në qelinë numër 8, në burgun 313, gardianët e provokonin atë duke i kujtuar gjyshin e vrarë, në oborrin e shtëpisë, por edhe faktin se ishte kushëri me shkrimtarin “disident”, Petro Marko. I dukej vetja asokohe si “Konti i Monte Kristos”. Sot, në mendimet e tij që do gërvishtim memorien e së shkuarës, do të flasim edhe për dashuritë e tij, Betin, bashkëshorten e tij të dytë, e tjetra për dy vajzat e tij, por edhe për macet e maçokët, (që e ndjekin ngaherë, si qenushë) me emrat e futbollistëve, të cilat Andrea Marko i ka rrëfyer për Gazetën “Si”.

Ekipi i Dinamo Tiranës

Karriera në ekipin e Dinamos

"Në gjimnaz kisha një shokun tim, Eduart Sehiti, që luante me të rinjtë e Dinamos, ku edhe vendosa të shkoj te ky ekip që zhvillonte stërvitjen te fusha e “11 Janarit”. Saimir Dahuti e Thoma Duro, në vitin 1972, do ishin trajnerët e mi. Në janar kemi marrë uniformat e Dinamos, e magazinier ka qenë një ish-futbollist i Dinamos, Hysen Vërria, i cili e mbante kartelën time origjinale, deri kur lashë futbollin. “Ishte kënaqësi e madhe, që morëm një çantë lëkure, me rripin më të gjatë se vetë çanta", thotë Andrea.

"Aty kalova me 54-at, pasi datëlindja ime ishte e vitit 1956, ’55, e në fund me ’56-ën. Në përfundim të tyre, kalova me të rinjtë direkt me ekipin e parë, në qershor të vitit 1975, ku trajnerë ishin Sabri Peqini dhe Skënder Jareci. Andrea Marko luajti përkrah një plejade të madhe sportistësh të asaj kohe, si Arben Çeliku, Edmond Çeliku, Bashkim Korbeci, Saimir Hoxha, Fatos Petani, por edhe më tej me Din Jahën apo Bashkim Delinë. “Bota e të rinjve", rikujton Marko për Gazetën “Si”. "Ishte bota me më shumë kujtime, ku çdo gjë linte gjurmë. U çudita kur më thërritën për fazën e parë në grupin e parë, në Pogradec. Që nga viti ‘75 deri në vitin ‘86, kur lashë edhe futbollin, janë vite të mbushura me aventurë futbollistike rinore, aventurë ëndrrash, por dhe e bukur, ku çdo ndeshje kishte risitë e veta e pjesë të karakterit, që u zhvilluan në fushë dhe jetë", vijon ai.

Andrea Marko duke goditur topin me kokë

Tituj personalë, letrat dhe momentet interesante

Ndër shumë tituj dhe “shkresurina” që ka marrë, Andrea Marko vlerësohet për kontributin e tij si mesfushor në ekipin e Dinamos, por edhe në atë të Kombëtares shqiptare. Ja vlen të përmendet si golashënuesi i dytë në kampionatin shqiptar me 13 gola, 90 gola në Kupë (1978/1981) e Kampionat (1976/1977/1980/1986).

Po ashtu, roli i tij si trajner, kur në vitin 1993 e gjen atë tek ekipi privat “ALPAO”, e në vitin 2002, si trajner te “Luftëtari” në Gjirokastër, e më tej me “Bylis” 2002-2003, me “Pogradecin” 2003-2004, me “Apoloninë” në vitin 2005, me “Albpetrolin” në vitin 2006, me “Skënderbeun” në vitin 2009 dhe me “Kastriotin” në vitin 2011.

Marko dhe Meta në korrik 2019 gjatë eventit të dekorimit të ish-futbollistit të Dinamos, Muhedin Targaj

Kampion me “Dinamon” në sezonet 1975-1976, 1976-1977, 1979-1980, 1985-1986; Kupën e Shqipërisë me “Dinamon” në vitet 1977-1978, 1981-1982, por edhe me “U-21”, ku ka luajtur 6 ndeshje (Kampion i Ballkanit 1978); me Kombëtaren ku luajti në 5 ndeshje, si dhe një sërë titujsh të tjerë si “Mjeshtër i Merituar i Sportit”, “Mirënjohje e Futbollit Shqiptar” apo “Legjenda e Futbollit Shqiptar”. Mbi 120 artikujt e tij në gazetat sportive, Andrea i përmblodhi të gjitha në librin e tij të quajtur “Opinion” (2006).

Andrea Marko me dekoratën e mirënjohjes dhënë nga presidenti i FSHF-së, Armando Duka

Realisht, sa thamë më sipër, e siç njihet zyrtarisht si mesfushor, Marko thotë se, “kam qenë realisht mesfushor i majtë, i qendrës dhe i djathtë, por edhe si qendërsulmues. Me Turqinë për shembull, në ndeshjen me kombëtaren, ku luajti kundër Terhim, sot trajner i Turqisë” (madje Andrea e tregon me krenari edhe një foto me të shumë vite më pas).

Andrea Marko me Terhim

“Momentet e këndshme, janë ato ku njeriu triumfon mbi diçka”, - vijon Marko, duke rikujtuar golin e parë ndaj Partizanit... "Sa herë ishim kampion, dilnim jashtë shtetit. Në 1978, kemi fituar një ndeshje delikate me Traktorin, 1 me 0 këtu, ku edhe fituam Kupën e Republikës dhe po në 1978, Kupën Ballkanike. Duke dalë 50% më shumë si kampion rresht për tri vite, merrje titullin ‘Mjeshtër Sporti’, gjë e cila nuk më është dhënë”. Këtë do t’iu pyesja, përveç titujve, brohoritjeve dhe letrave... “Kishte veçse diploma!”, thotë ai.

Andrea Marko duke dorëzuar kupën Miami Beach Football

Pra, veçse letra? “Letra the? Duke u nisur edhe nga biografia ime, ata nuk më linin të vijoja as shkollën. Në shtator të vitit 1975, u regjistrova në shkollë, e Zyber Konçi (themelues i Shkëndijës) nxori një ligj që nëse do të jesh me Institut, duhet të luash me ekipin e Shkëndijës. Në datën 1 në shkollë dhe në datë 3 sollën fletëthirrjen për ushtar në kufi të Sarandës, e ndërsa isha te Pallati i Sportit ku thirrej emri im, dy oficerë më thoshin, mos shko”. “Çfarë bëhej atëherë o Ed, të bënin letrat kur kishin interes, e kështu më çuan tek Reparti 410, në Mullet dhe më pas për shërbimin e detyruar te Toga e Shoqërimit, së bashku me disa basketbollistë... ajo ishte pjesa e rinisë dhe rinia e përballonte. Si mund të ishte jeta e futbollistit?”, shprehet ai. Për sa i përket origjinës së emrit të tij, Andrea thotë se ka emrin e stërgjyshit, i cili u vra pikërisht aty ku sot në majë të Llogarasë (atje ku edhe hidhen sot me delta plan) quhet “Pellgu i Andrea Markos”, apo kufiri ndarës i Dhërmiut me Dukatin. Historia në fjalë, është shkruar edhe nga shkrimtari Petro Marko në një tregim të quajtur “Griva” (me emrin e kalit), ku sipas Petro Markos, duke cituar Andrea Markon, shkruhet: “Ju që më vratë, do më qani!”, pasi aty ku do ndalonte edhe kafsha, do të ndahej kufiri midis dy fshatrave...  

Futbollistët e femrat, e Beti si dashuria e dytë

E kemi pyetur Andrea Markon, se si shiheshin asokohe futbollistët te femrat dhe ai na thotë se “futbollistët ishin çuna gjimnazi asokohe. Dashje pa dashje, ata kishin emër dhe shkonin jashtë shtetit, por edhe kishin higjienën dhe larjen parësore, dy herë në ditë".

Andrea Marko dhe bashkëshortja e tij, Beti

Po ashtu, pjesën e ushqimit, si tek Arbëria apo Peza, kështu që... pastaj edhe pjesa rinore, e një televizor dhe radio, që kishin njerëzit në shtëpi... Unë besoj se rinia e donte futbollin, tek italiani apo jugosllavi”... Ju lejohej gjithsesi? “Ashtu fshehurazi!”. “Dashje pa dashje, rinia kishte tentativa të forta.

Çdo gjë erdhi te normaliteti i vet, pak i vonuar për Shqipërinë, e megjithatë, të çoroditur jemi ende”. Ndërsa e kemi pyetur për familjen e tij, Andrea Marko thotë se Beti është dashuria ime e dytë, nga e para, Rozafa, “E dy dashuritë e mia, vajza Ruana, që mbaroi në Patra të Greqisë (me vëllezërit dhe të ëmën) dhe punon si psikologe dhe e madhja Fjorda në Londër, e cila mbaroi për Ekonomi”. “Beti”, - sipas Andrea Markos është “një lidhje jashtëzakonisht e fortë mbi bazën e respektit dhe të shkallës së intelektit, ku Beti vjen nga një kulturë dhe edukatë familjare jashtëzakonisht e mirë. Në një lidhje dyshe prej 22 vitesh, do kesh edhe ngritje e ulje, edhe buzëqeshje edhe grindje të vogla. Edhe juve si beqar ua rekomandoj! Nëse nuk shkon mirë me njeriun e parë, ashtu siç isha unë, do ikim apo jo në Shqipëri, jo dua apo jo, një lloj egoje... kurse me Betin, stabilitet, kënaqësi, punë, shëtitje apo udhëtime... Duhet të falënderojmë Zotin dhe po ashtu, atë që kishim kurajë për të qenë të fortë në momentet e mira, e të këqija. Kështu njeriu ripërtërihet”. 

Andrea Marko duke folur për futbollin në TV

Andrea, biografia e fshatit Dhërmi dhe e “disidentit” Petro Marko

Fshatin Dhërmi e kanë themeluar fisi Marko; Andrea Marko i parë dhe Marko Marko. I fundmi, ishte i ati i Petro Markos. Në vitin 1912, ata bënin tregti me qitron. Konkurronin me tregtarët e mëdhenj çifutë të qitros, madje edhe sot në Trieste, ekzistojnë edhe sot magazinat “Marko”. Nga Ksamili deri në Artë, ishin 500 kushërinj. Petro Marko i ka shkruar të gjitha këto tek “Retë dhe gurët”, që nga fëmijëria deri në Spanjë, në Itali dhe si mësues, drejtor i “Bashkimit” në vitin 1946 dhe po ashtu, futja në burg nga Koçi Xoxe. Në 1974-n, i ndodhi fatkeqësia me çunin që e arrestuan për “Agjitacion dhe propagandë”. Në 1976-n rrinim bashkë gjithë kohës tek “Arbëria”, që më pas u bë “Klubi i Shkrimtarëve”. Historitë dhe librat e tij, i di mjaft mirë. Në ato vite mbaj mend “Arrat në mal”, apo “Shpella e Piratëve”, që është historia e gjyshit tim, Niko Dados, nga ana e mamasë sime; babai i nënës sime. Vitin e parë e mbarova në Dhërmi, në 1963. Shkoja dikur me gjyshin për iriqë, guaska dhe ishte një peshkatar mjaft i mirë... madje mbaj mend që një kile, kishte tre peshq të varur.

Gjyshi i mblidhte gjithë fëmijët e fshatit dhe librin e shkroi Petro, që më pas u bë ekranizim. Më pas, “Urata e dhjetë e Perëndive”, me priftërinjtë e fshatit, e copëzave të humorit. Unë ika më pas në Greqi në shkurt, ndërsa në dhjetor ‘91, Petro ndërroi jetë. Kohën e tollonit e mbaj mend që e përjetoi keq, së paku që stononte në atë kohë, për ata njerëz. Më tregonte historitë e Spanjës dhe gjithçka tjetër. Por momenti më i trishtë i Andrea Markos është vrasja e gjyshit në vitin 1944, te dera e shtëpisë dhe më pas vijoi sipas Markos, kalvari i familjes. “Megjithatë mbijetuam”, thotë Andrea Marko, duke cituar se “lufta për ekzistencë, përveç dëshirës për të jetuar, mësohesh me mundimet, e dhimbjen e kthen në forcë. Besoj se Markot, sot janë mirë”.

Andrea kur ishte trajner në qytetin e Korçës

Një “dashuri”, jo aq e re...

Një tjetër dashuri të veçantë ka ish-futbollisti, aktualisht trajner dhe komentator e gazetar sportiv, edhe ...për macet.

Andrea si komentator

E kemi pyetur se nga kjo “dashuri e re”, ndërsa Andrea thotë që kur ishte e vogël vajza ime, “gjëmojsha nëpër kazanët e plehrave, ku ajo thërriste, babi macja, macja... Në fillim morëm një maçok, shumë të lezetshëm në Patok të Lezhës. Emri i tij ishte Djego. I bënim edhe stërvitje, duke e vënë në portë. Një ditë... e shtypi makina. I hipi edhe dëshira Betit, duke gjetur Pisikën, me dy kotele Piçukun dhe Balotelin. Piçuku u bë si njeri.

Andrea Marko dhe Pisika

Rrallë kishin parë njerëzit në lagjen tonë që macja të ecte si qen pranë njeriut. E merrja edhe në stërvitje, madje. Me intuitë njëherë e gjeta afër banjave, e frikësuar nga macet e tjera. Iku një javë dhe më pas... iku. Më pas histori të tjera... Një dashuri e madhe. Pastaj u bënë xheloz qentë”, thotë Andrea. “Kafsha është një pjesë e bashkëjetesës së njeriut...”. E të gjithë/a, emra futbollistësh?

“Po, krejt të gjitha. Kjo dashuria ka të bëjë me natyrën dhe Zotin, ashtu si një shprehje në filmin francez “Për arsye shtetërore”, ku personazhi ishte ministër dhe i thotë dikujt që nëse do kisha një jetë tjetër, do doja të isha mace. Bota është e këndshme që na heq stresin. Loz e argëtohem madje edhe kur zihem me gruan, ku e gjej kënaqësinë me kafshën. Ato e ndiejnë njeriun, që i duan kafshët. Duhet ta ndjesh që ta thuash”. “Ahhh lëre këtë se e ka mendjen te macet”, - kam dëgjuar, thotë Andrea Marko në këtë intervistë për “Gazetën Si”. “E kështu më duket sikur jetoj dy botë, botën time dhe botën e kafshëve”. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë