Nga Gazeta Si – Politika është një thirrje e brendshme për t’u shërbyer njerëzve. Kështu e përkufizon angazhimin e tij në politikë Andi Mustafaj, drejtues politik i PD-së në Njësinë Nr.1 në Tiranë.
Në podcastin “T’pa thana” në Gazetasi.al ai tregon se sipas tij, Shqipëria është në një udhëkryq ku gjërat mund të shkojnë edhe më keq, e për pasojë, opozitës i është dashur të marrë edhe role që nuk i takojnë, duke bërë të fortët.
I pyetur nëse në politikë ka vend një person i kulturuar, ndërkohë që shohim shumë të tjerë që përdorin edhe dhunën, Mustafaj tha se “duhet ta pranojmë se kemi nevojë për personalitete të ndryshme në politikë”.
Ai merr si shembull sportin, duke treguar se në sport, ka gjithmonë nevojë për personalitete të ndryshme në mënyrë që një skuadër të jetë fitimtare.
Gjithashtu, konkretisht Partia Demokratike sipas Mustafajt, është detyruar që të marrë rolin e ndërmjetëm, që në një shtet normal e bëjnë sindikatat apo shoqatat.
“Në Paris për shembull, ka një ndërmjetës që bën lidhjen e qytetarit me partinë politike. Këtë rol e kanë shoqatat, sindikatat apo edhe grupet e interesit. Në momentin që tek ne këto grupime mbështesin maxhorancën dhe nuk reagojnë para padrejtësive, atëherë na mbetet ne të bëjmë rolin e tyre dhe për pasojë, jemi të detyruar të jemi edhe agresiv kur shohim që qeveria nuk po qeveris sic duhet”, shpjegon Mustafaj.
Si një ish-basketbollist, Mustafaj thotë se filozofia e sportit është gjëja më e mirë që mund të mësosh në jetë dhe kjo e ka ndihmuar edhe në politikë.
“Duhet të japësh më të mirën e vetes tënde por brenda kuadratit. Sporti të mëson konkurrencën e shëndetshme, ku ke konkurrencë me grupin për të qenë më i miri por në fushë dilni të gjithë për të fituar bashkë. Ka norma, ka korniza”, thotë ai.
Norma që sipas tij, nuk shihen shumë tek të rinjtë e sotëm që janë të angazhuar në politikë.
Mustafaj thotë se të rinjtë duhet të jenë gjithmonë kundërshtare të pushtetit dhe nuk mund të mbështesin një pushtet 12 vjeçar.
“Shpopullimi është një plagë dhe nuk e kuptoj si mund të mbrohet shpopullimi në një studio. Të rinjtë e Partisë Socialiste unë kam vënë re se as nuk dinë të thonë 3 gjëra të mira që ka bërë partia apo 3 strategji për të ardhmen. Thjeshtë mbajnë retorikën e kryetarit të tyre”, thotë Mustafaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




