Kinema

“Anatomia e një rënieje” fiton Çmimin e Filmit Evropian 2023

Drama e zhvilluar në sallën e gjyqit “Anatomy of a Fall” “Anatomia e një rënieje” e regjisorit francez Justine Triet ka fituar çmimin për filmin më të mirë evropian të vitit, tha Akademia Evropiane e Filmit në një ceremoni dje në Berlin.

Filmi tregon historinë e një shkrimtareje të suksesshme, të luajtur nga Sandra Hüller, e cila përpiqet të provojë pafajësinë e saj pasi akuzohet për vrasjen e të shoqit.

“Anatomy of a Fall” më herët fitoi çmimin e skenarit më të mirë dhe gjithashtu një çmim për montazhin më të mirë. Triet fitoi çmimin për regjisorin më të mirë dhe Hüller-it iu dha çmimi për aktoren më të mirë 2023.

Aktori danez Mads Mikkelsen u shpall aktori më i mirë për interpretimin e tij në filmin “Bastards”.

Aktori gjerman Christian Friedel, i cili luajti komandantin e Aushvicit, Rudolf Höß në “The Zone of Interest” “Zona e interesit”, ishte ndër të nominuarit në kategori.

Akademia nderoi gjithashtu aktoren britanike Vanessa Redgrave me çmimin e karrierës.

Regjisori hungarez i filmit Béla Tarr (“Sátántangó”) mori Çmimin e Nderit të Presidentit dhe Bordit të Drejtorëve të Akademisë.

Regjisorja spanjolle Isabel Coixet (“Jeta sekrete e fjalëve”) u nderua për punën e saj në kinematografinë botërore.

Çmimet Evropiane të Filmit konsiderohen si një nga nderimet më prestigjioze në industri. Rreth 4 600 anëtarë të Akademisë Evropiane të Filmit votuan për fituesit në një sërë kategorish, si çmimet e Akademisë në SHBA.

Çmimet Evropiane të Filmit zakonisht jepen në mënyrë alternative në Berlin dhe qytete të tjera evropiane.

Vitin e kaluar, çmimi për filmin më të mirë shkoi për satirën “Triangle of Sadness”, “Trekëndëshi i trishtimit”. /ata


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë